Kosova ne prag te shperthimit social
Albeu.com
Pos punëtorëve shëndetësorë që kanë paralajmëruar hyrjen në grevë që nga e hëna, edhe organizime të tjera sindikale kanë bërë të njohura masat radikale. Midis tyre, Sindikata e gardianëve, zjarrfikësve, gjykatësve, prokurorëve, administratës publike, administratës tatimore dhe organizime të tjera sindikale.
Qeveria nuk ka përgjigje për kërkesat e të gjitha kategorive, ndërsa ekspertët parashikojnë një mars të nxehtë.

Punën që bën urologu Sabri Hyseni shteti ia shpërblen me vetëm 303 euro në muaj. Ka kryer fakultetin për mjekësi dhe ka specializuar jashtë vendit, ndërsa kur është kthyer për të punuar në shtetin e vogël është përballur me dallime të madh midis pagave.

Pavarësisht investimit për avancim profesional, paga që tash merr është 5 herë më e vogël se paga bazë e deputetit dhe më shumë se 9 herë më e vogël se ajo e presidentit. Merr edhe 44 euro shtesë, e cila është 11 herë më e vogël se shtesat mesatare që marrin deputetët.
“Rroga e janarit e 2010-s është 303 euro bruto. Duhet thënë qartë se 44 euro janë shtesë në rrogë dhe nuk kemi të bëjmë me rritje të saj për 30 për qind, siç proklamon Qeveria”, ka thënë urologu Hyseni. “Jam i shkolluar jashtë, kam kryer fakultet dhe specializim. Për këtë kanë sakrifikuar familja dhe kur të kthehesh nuk mund të mbijetosh me këtë pagë”.

Dallime të këtilla kanë shkaktuar revoltë te ky dhe te punonjës të tjerë të shëndetësisë. Por më shumë te infermierët dhe te teknikët mjekësorë që marrin pagë diçka më të madhe se 150 euro. Pas një proteste që kanë bërë këtë javë, po i mendojnë hapat e tjerë radikalë, me të cilët synojnë të sigurojnë rritje në masën 100 për qind. Nëse deri të hënën nuk përmbushet kjo kërkesë, atëherë kanë në plan të hyjnë në grevë, e cila sjell edhe planet e kategorive tjera të pakënaqura të punëtorëve dhe sindikatave të tyre në vend.
Shtuar më 06/02/2010, ora 22:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori