Kosova mirepret rezoluten e PE-se
Albeu.com
Prishtina zyrtare e mirëpret miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian për Kosovën. Si Qeveria ashtu edhe opozita, e cilësojnë këtë dokument si shprehje e përkrahjes së BE-së për Kosovën.
Miratimi i rezolutës për Kosovën në Parlamentin Evropian është mirëpritur nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi tha për Radio Kosovën, se me këtë rezolutë demonstrohet përkrahja për të arriturat në Kosovë si dhe për mënyrën e ballafaqimit me të ardhmen.

Miratimin e Rezolutës për Kosovën e ka mirëpritur edhe lideri opozitar, Ramush Haradinaj. Kryetari i AAK-së miratimin e rezolutës e cilësoi si një sjellje të përgjegjshme ndaj Kosovës nga Parlamenti Evropian.

“Ka rëndësi se po mbetet një klimë e përgjegjshme ndaj nesh në institucionet e BE-së dhe në Parlamentin e BE-së. Kuptohet se vendimet në Parlamentin e BE-së janë me rëndësi dhe më vjen mirë që ka një ndjenë të madhe të përgjegjësie, pra, po kursehet Kosova, ndryshe thonë edhe po përkrahet, kuptohet ndoshta jo për shkak sa mirë ne i ushtrojmë funksionet tona, por për shkak se zyrtarë evropianë të zgjedhur parlamentarë, e kuptojnë se kanë përgjegjësi për rajonin tonë dhe mundohen t’i ruajnë këto procese”, tha Haradinaj.

Përfaqësues politikë dhe institucionalë të Kosovës vlerësojnë se rezoluta e Parlamentit Evropian për Kosovën është edhe një mesazh i mirë, jo vetëm për pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, por edhe për vendet e tjera të botës që ende nuk e kanë marrë një hap të tillë, që të vendosin për njohjen e pavarësisë së shtetit më të ri në botë.
Shtuar më 08/07/2010, ora 16:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori