Kosova merr mbështetje në Samitin e Evropës Juglindore në Zagreb
Albeu.com
Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Bërns, tha sot në Samitin të vendeve të Evropës Juglindore që po mbahet në Zagreb, se SHBA-të e përkrahin pavarësinë e Kosovës dhe janë të vendosura që rezoluta për pavarësinë të miratohet gjatë këtij muaji në KS.Edhe kryeministri kroat Sanader, tha se zgjidhja e statusit të Kosovës është nevojë urgjente për të forcuar sigurinë në rajon. Në samit po marrin pjesë edhe kryeministri Çeku dhe zv/kryenegociatori Rohan.
Pjesëmarrësit në samitin e Zagrebit kanë theksuar nevojën e zgjidhjes sa më të shpejt të statusit të Kosovës, si kusht për stabilitetin rajonal. Nënsekretari amerikanë i Shtetit, Nikollas Bërns, tha se vendi i tij e mbështet pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet që rezoluta e re për Kosovën të miratohet gjatë muajit maj.

Ai ka ripërsëritur edhe një herë se amerikanët dhe evropianët kanë pasur përgjegjësitë më të mëdha për Kosovën gjatë këtyre viteve, dhe, iu takon atyre që ta përmbyllin këtë çështje.

Ndryshe, mbrëmë në Zagreb janë takuar Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Nikollas Bërns dhe Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Edhe me këtë rast Bërns fuqishëm ka përkrahur pavarësinë e Kosovës, për të cilën tha se pritet së shpejti.

“Shumë shpejt me vendet evropiane do t’ia prezantojmë rezolutën. Presim një debat mjaft të gjallë në Këshillin e Sigurimit, por nuk vihet në pyetje rezultati – pavarësia e Kosovës. Shpresojmë se deri në fund të muajit në Nju Jork të votohet dhe me atë rast të gjithë do ta përkrahim shtetin e ri të pavarur”, ka thënë Bërns

“Është e qartë se jemi duke bërë hapat e fundit të luftës sonë të gjatë për pavarësinë e Kosovës. Ngjarjet janë të Pashmangshme. Mendoj se me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, kemi një plan të mirë në tavolinë, kështu që çdo gjë është gati që rezoluta të miratohet shpejtë. Kjo për ne është një kohë shqetësimesh”, ka deklaruar kryeministri Çeku.


Edhe kryeministri kroat, Ivo Sanader tha në hapje të samitit se Evropës i duhet një Kosovë stabile, demokratike, ku do të sundojë drejtësia dhe ku të gjitha bashkësitë minoritare në mënyrë të sigurt do të marrin pjesë në jetën politike.

“Zgjidhja e statusit të Kosovës, si një çështje unike dhe urgjente sot, duhet ta forcojë sigurinë në këtë pjesë të Evropës. Plani i propozuar nga emisari special Ahtisaari, ofron kornizën për një zgjidhje të tillë, sikur që njihet dhe pranohet në pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Por njëkohësisht, nuk mund të mos e potencoj se është e domosdoshme të kemi edhe një kohezion dhe unitet të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Sanader.

Edhe kryeministri shqiptarë, Sali Berisha ka thënë se zgjidhja e statusit të Kosovës është parakusht për stabilitetin e rajonit.

Përveç Kosovës, udhëheqësit më të lartë të vendeve të Evropës Juglindore në samitin e Zagrebit, kanë diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe progresin në rrugën e integrimit evropian.

Në samit po merr pjesë edhe kryeministri Agim Çeku, zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin, Albert Rohan, si dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë kryesuesen e radhës, kancelaren gjermane Angela Merkel,kryetari i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso si dhe Nënsekretari i Departamentit amerikan të Shtetit Nicolas Burns. rtk/start/albeu
Shtuar më 11/05/2007, ora 15:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori