Kosova ftohet zyrtarisht per takimin e Sarajeves
Albeu.com
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i tha BBC-së se qeveria e Kosovës ka marrë ftesë zyrtare për pjesëmarrje në takimin rajonal në Sarajevë.
Ai tha se Kosova do të prezantohet në mënyrë të barabaratë me të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse në takim dhe do të ketë të drejtën e saj të barabartë për të shprehur mendimin për zhvillimet rajonale dhe integrimet evropiane.
Kuçi tha se në takimet rajonale por edhe në atë të Sarajevës, askush tjetër, përveç përfaqësuesit të institucioneve të vendit nuk mund të përfaqësojë Kosovën.
"Tanimë qeveria e Kosovës, respektivisht ministri i punëve të jashtme ka ftesë formale për pjesëmarrje në konferencën e Sarajevës. Kosova është e interesuar që të marrë pjesë në atë konferencë, të japë kontributin e saj për temat që janë me rëndësi për bashkëpunimet rajonale por edhe ato në nivelin e integrimeve evropiane. Natyrisht, aty do të jemi të trajtuar në mënyrë të barabartë dhe me qësje që do ta ruaj dinjitetin edhe të përfaqësuesit por edhe të identitetit shtetëror."
Në pyetjën se a do të jetë përfaqësuesi i UNMIK-ut së bashku me përfaqësuesit e Kosovës, Kuçi u përgjigj se “ Kosova do ta ketë përfaqësuesin e vetë në këtë konferencë dhe do të jetë si i tillë dhe si i vetëm. Por kushdo tjetër nuk i përfaqëson institucionet e Republikës së Kosovës”.
Ndërkohë, zyrtarë të misionit të OKB-së në Kosovë, thonë se presin që shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier, të marrë ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e Sarajevës. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Russell Geekie, i tha BBC-së se pjesëmarrja e zotit Zannier në takimin e Sarajevës është diskutuar me organizatorët nga BE-ja dhe se pret që ai të marrë pjesë atje.
"Por siç e ka thënë zoti Zannier, shumë herë ne nuk flasim në emër të institucioneve të Prishtinës. Ata i kanë udhëheqësit që flasin për vete. Qëndrimi ynë është i ngjashëm me shumë pjesëmarrës të tjerë që do të thotë se do të donim të shihnim një pjesëmarrje të plotë në këtë takim, posaçërisht të Prishtinës dhe Beogradit. Nëse prania jonë mund të ndihmojë që të lehtësojë këtë ne jemi më se të kënaqur që të ndihmojmë", tha Geekie.
Shtuar më 18/05/2010, ora 21:45
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori