Kosova ende pa platforme per bisedimet me Serbine
Albeu.com
Institucionet e Kosovës nuk janë të interesuara që bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit të nisin para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinionin e saj mbi ligjshmërinë ndërkombëtare të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Siç shkruan sot “Koha Ditore”, interferimi që mund të ketë procesi i bisedimeve në opinionin e GJND-së është brenga e institucioneve të Kosovës, të cilat tashmë këtë disponim edhe ua kanë shprehur diplomatëve ndërkombëtarë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, nuk ka dashur që të flasë për detajet e këtyre bisedimeve pasi që, sipas tij, ende gjithçka është vetëm ide.
“Ende janë gjërat vetëm në bazë idesh. Nuk ka diçka konkrete as sa i përket kohës, as formatit e as temave, por është një ide e cila po përgatitet edhe në instanca ndërkombëtare e edhe rajonale. Po nuk ka diçka që është e përcaktuar tani për tani”, ka thënë Kuçi.
Ndonëse secili diplomat i lartë ndërkombëtar që ka vizituar Kosovën në muajt e fundit ka përsëritur nevojën për të biseduar me Serbinë, institucionet e Kosovës ende nuk e kanë parë të nevojshme hartimin e ndonjë strategjie për mënyrën e qasjes në këto biseda e as për temat për të cilat Prishtina mendon se janë në interes që të bisedohen.
Mirëpo konfirmimi nga Beogradi javën e kaluar për një varrezë masive me trupa të shqiptarëve në jug të Serbisë, ka bërë që institucionet e Kosovës të mendojnë seriozisht që gjatë bisedimeve të insistohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe hapjen e të gjitha varrezave në të gjitha lokacionet nëpër serbi, ku institucionet e Kosovës dyshojnë se ka ende trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
“Çdo bisedim për çdo çështje tjetër pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe fati i dokumentacionit të Kosovës që është marrë nga Serbia është i pakuptimtë. Fati i të pagjeturve është çështje jetike që nuk kërkon as bisedime, por vetëm sinqeritet dhe interesim të Qeverisë së Serbisë për t’u zgjidhur”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.
Mirëpo zëvendësshefi i Qeverisë kosovarë ka pranuar se Prishtina do të niset nga temat të cilat nuk pranon t`i bisedojë.
“Ne nisemi nga ajo që nuk do të diskutojmë e që është gjithçka që ka të bëjë me statusin. Pra, për tërësinë territoriale, integritetin dhe gjithçka tjetër që është çështje e brendshme shtetërore. Për temat që mund të jenë interes i përbashkët në rrugën e përbashkët drejt integrimeve evropiane mund të bisedojmë”, ka thënë Kuçi.
Pajtimin për bisedime qoftë edhe për çështje teknike e ka dhënë edhe Serbia, ndërkaq edhe Beogradi më herët ka insistuar që ky proces të zhvillohet pasi që opinionin e dalë nga kjo gjykatë Beogradi mendon që ta përdorë edhe si bazë të mundshme të bisedimeve.
Nëpërmjet një njoftimi nga kabineti i tij presidenti serb Boris Tadiq ka thënë se Beogradi “pranon që të bisedojë me Prishtinën edhe për çështje teknike, mirëpo bisedimet e tilla nuk duhet të drejtohen nga presidenti i vendit”. Sidoqoftë edhe në këtë komunikatë Tadiq ka ripërsëritur qëndrimin e Serbisë se të dyja vendet duhet të bisedojnë edhe për statusin e Kosovës.
Bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës për çështje teknike u kanë dhënë mbështetje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një vizite që ka pasur në rajon javën e kaluar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon, e ka bërë të qartë se procesi i bisedimeve duhet të përqendrohet në çështje me interes të përbashkët dhe se statusi tashmë është i zgjidhur.
Sipas tij, në Kosovë dhe në Ballkan ka ende shumë punë të pakryera, por ajo që tashmë për SHBA-në vlerësohet punë e kryer dhe e pakthyeshme është “pavarësia e Kosovës dhe integriteti territorial i saj”. Sipas tij, tema të bisedimeve mes Beogradit e Prishtinës mund të jenë energjia elektrike, funksionimi i gjykatave, çështja e njerëzve të pagjetur, por jo edhe statusi, apo ndarja e Kosovës.
Javën e kaluar nga GJND-ja ka dhënë dorëheqje gjykatësi kinez Shi Jiuyong, i cili ka qenë pjesë e panelit për Kosovën. Sipas procedurave, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka marrë vendim që të zgjedhë pasardhësin e tij më 29 qershor të këtij viti. Kjo dorëheqje pritet që të shkaktojë vonesa në publikimin e opinionit të kësaj gjykate.
Shtuar më 17/05/2010, ora 12:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori