Kosova e vendosur: Nuk tolerojme strukturat paralele serbe
Albeu.com
Institucionet e Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të Qeverisë së Serbisë për fillimin e funksionimit të strukturave paralele serbe në territorin kosovar.Qeveria e Kosovës ka dhënë shenjat e para serioze për të ndërhyrë bashkë me autoritetet ndërkombëtare për të mos lejuar krijimin e komunave serbe nën autoritetin e Beogradit në territorin e Republikës së Kosovës.

"Ne i njohim dhe do t'i zhvillojmë vetëm institucionet tona që dalin nga vota e lirë e qytetarëve të Kosovës", tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Zenun Pajaziti.

Një ditë më herët, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Sllobodan Samarxhiq, gjatë vizitës që u ka bërë vendbanimeve serbe në Kosovë, ka deklaruar se konstituimi i kuvendeve komunale serbe në Kosovës do të ndodh brenda 10 ditësh.

Por ministri i Punëve të Brendshme thotë se institucionet e Kosovës po bashkëpunojnë ngushtë me ato ndërkombëtare për të shtrirë autoritetin e tyre në tërë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës dhe për të mos lejuar shtrirjen e strukturave paralele.

"Ne po bashkëpunojmë shumë me UNMIK-un dhe KFOR-in për të ushtruar funksionin tonë në gjithë territorin e Kosovës", theksoi Pajaziti.

Edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të mos lejojnë krijimin e komunave serbe në territorin e Kosovës. Sejdiu ka thënë se është koha e fundit që t'u jepet përgjigje e qartë dhe energjike të gjitha strukturave paralele që Serbia dëshiron të ndërtojë në Kosovë.

Serbia po planifikon që të ndërtojë komunat serbe pikërisht në kohën kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dhe kur akoma nuk është e qartë se cila do të jetë roli i UNMIK-ut pas 15 qershorit dhe kur do të filloi punën misioni i Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi- EULEX. (Alsat)
Shtuar më 27/05/2008, ora 23:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori