Kosova e Shqiperia drejt njesimit te teksteve shkollore
Albeu.com
“Ne duhet të shkojmë drejt teksteve të përbashkëta, me përmbajtje të njësuara, pasi të vërtetat janë një dhe detyra e shkencës është t’u heqë pluhurin dhe mykun e së kaluarës e t’i bëjë ato të shndrisin”.Kështu ka deklaruar të mërkurën kryeministri shqiptar Sali Berisha, gjatë një takimi me një delegacion të Komisionit të Arsimit dhe të Shkencës të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Berisha theksoi se e konsideron arsimin si fushën kryesore për të kapërcyer prapambetjen dhe ndasitë e pamerituara të kohëve të shkuara. “Vizitën tuaj e vlerësoj dhe mbështes bashkëpunimin midis ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha kreu i qeverisë shqiptare. Më tej, kryeministri u shpreh se mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të ketë dallim për asnjeri se ku studion; sistemi arsimor duhet të jetë i njëjtë, për të arritur synime të përbashkëta arsimore.

“Ne do të bëjmë të mundur që çdo i ri apo e re, që mbaron shkollën e mesme, të ketë të hapura dyert për të shkuar në universitet, t’u hapim atyre rrugët e dijes dhe tregu vendos më pas për punësimin. Kemi bërë përparime të mëdha në këtë drejtim dhe ende kemi për të bërë, po trefishojmë numrin e studentëve krahasuar me katër vjet më parë dhe ende do ta rritim” shtoi kryeministri.

Delegacioni kosovar falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe fjalët e tij inkurajuese për zhvillimin e arsimit.
Shtuar më 26/05/2010, ora 23:03
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori