Kosova do te rivendos kontroll ne te gjitha pikat doganore
Albeu.com
Prishtina paralajmëron vendosjen e doganave në dy pikat kufitare brenda një afati sa më të shpejtë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk përmendi ndonjë datë të rikthimit të rendit në dy pikat kufitare të ...... shkatërruara dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, por tha se kjo do të bëhet shumë shpejt. Thaçi ka takuar drejtorët e Policisë dhe të doganave të Kosovës, Sheremet Ahmeti dhe Naim Huruglica për të biseduar me ta rreth hapave që po bëjnë këto organe në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar në kufijtë e Kosovës, sidomos në vijën që ndan Kosovën dhe Serbinë në pjesën veriore.
“Tash për tash atje janë doganat e Kosovës, është territori i Kosovës. Tash për tash kemi autoritetin e EULEX-it me mbështetjen edhe të autoriteteve kosovare që janë prezente për të vëzhguar dhe regjistruar njerëzit dhe mallrat. Së shpejti do të fillojë edhe doganimi”, deklaroi Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
“Muajt e kaluar kemi arritur ta ulim nivelin e kontrabandës në nivelin deri në 80 përqind. Është një punë jashtëzakonisht e madhe që e kemi bërë duke vendosur kontroll në atë pjesë të kufirit. Kohëve të fundit kemi pasur tendencë të lëvizjes së kontrabandës edhe në pikat tjera kufitare”, theksoi Naim Huruglica, drejtor në Doganat e Kosovës.
“Ne kemi krijuar një grup të veçantë, Task Forcë, për luftimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit dhe ai grup ka dhënë rezultate të mira. Deri më tani kemi disa kallëzime penale. Madje edhe e kemi arrestuar një grup për kontrabandim”, u shpreh Sheremet Ahmeti, drejtor i Policisë së Kosovës.
Drejtori i Doganës së Kosovës është shprehur se pavarësisht krizës ekonomike, doganat kanë tejkaluar parashikimet në mbledhjen e të hyrave. Për shkak të ekonomisë së dobët vendore, mbi 70 përqind e buxhetit të Kosovës mbushet me të hyrat që mblidhen nga dogana, ndërsa mosfunksionimi i doganave në veri i ka shkaktuar humbje milionash këtij buxheti gjatë vitit të kaluar.
Shtuar më 20/04/2009, ora 20:45
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori