Kosova dhe Turqia intensifikojne bashkepunimin ndershteteror
Albeu.com
Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, tha sot presidenti i Turqisë Abdullah Gyl gjatë pritjes që i bëri presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu. Presidenti Gyl tha se Turqia do të vazhdojë të lobojë për pavarësinë e Kosovës.Gyl tha se lobimi për njohjen e Kosovës do të përqendrohet sidomos tek vendet e konferencës islamike. Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu, i cili u prit me nderime të larta shtetërore të Turqisë, vlerësoi përkrahjen e qeverisë turke duke kërkuar intensifikim e bashkëpunimit midis dy vendeve.

***

Presidenti i Turqisë Abdulla Gyl ka thënë sot se progresi i Kosovës është një argument se Kosova është faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Gjatë pritjes që i ka bërë presidenti Fatmir Sejdiu, Gyl është zotuar se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset, fillimisht në avancimin e njohjeve për Kosovën.

“Republika e Turqisë ka qenë udhërrëfyese për të gjitha vendet e botës islamike, duke e njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës, ndaj ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga vendet e kësaj konference që edhe ato, sa më parë, të ndjekin rrugën tonë”, tha presidenti Abdullah Gyl.

Gyl ka vlerësuar se njohja e Kosovës nga 65 vende të botës, si dhe anëtarësimi i saj në institucione të ndryshme ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është dëshmi se në Kosovë janë arritur suksese.

Ai ka thënë se Turqia do ta mbështesë Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare në të cilat ajo merr pjesë. Presidenti turk shfaqi bindjen se procesi i njohjes së Kosovës do të ketë nxitje pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gyl vlerësoi se integrimi sa më i shpejtë i Kosovës në institucionet euroatlantike, do të siguronte paqe dhe stabilitet të përhershëm në gjithë rajonin.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu vlerësoi përkrahjen e qeverisë turke duke kërkuar intensifikim e bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Turqia i është gjetur Kosovës në orët më të liga të historisë së saj dhe po e ndihmon edhe sot, si në procesin e njohjeve dhe të integrimit, ashtu edhe në atë të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. Prandaj ne jemi thellësisht të përkushtuar që marrëdhëniet tona të intensifikohen edhe më shumë për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve”, ka thënë presidenti Sejdiu duke e cilësuar substanciale mbështetjen e Turqisë për Kosovën.

Presidenti Fatmir Sejdiu është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mehmet Ali Shahin, i cili gjithashtu premtoi se udhëheqësit më të lartë të Turqisë do të vazhdojnë të ndikojnë tek vendet e Konferencës Islamike që edhe ato ta njohin sa më parë Republikën e Kosovës.

Institucionet më të larta të Republikës së Turqisë i kanë bërë sot një pritje madhështore Presidentit Sejdiu. Fillimisht presidenti Sejdiu sot vizituar Muzeun Anitkabir, ku ka vënë kurora lulesh dhe ka nderuar kujtimin e krijuesit të Republikës moderne të Turqisë, Kemal Ataturkut, si dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e këtij vendi. (rtk)
Shtuar më 02/02/2010, ora 22:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori