"Kosova de fakto është e pavarur dhe pritet vetëm njohja formale e saj", tha Olga Obradoviq sot në
Pëlqej
Albeu.com
Me miratimin e një deklarate sot në Prishtinë i përmbylli diskutimet konferenca dyditore kushtuar të ardhmes së Kosovës.Nga diskutimet e sotme duhet veçuar atë të përfaqësueses nga Universiteti i Beogradit Olga Obradoviq, e cila tha se "Kosova de fakto është e pavarur dhe këtë vit pritet vetëm njohja formale e saj". Zonja Obradoviq theksoi nevojën e zgjidhjes së çështjes së kufijve të Serbisë me Kosovën dhe me Malin e Zi, e cila do të mundësonte zhvillimin më të shpejtë të Serbisë.
"Pavaresia e Kosovës është më çliruese sesa frustruese për Serbinë. Kosova e pavarur do ta ndihmojë zhvllimin e brendshëm të Serbisë në një afat të shkurtër dhe do të mundësonte integrimin e Serbisë në strukturat euroatlantike", tha Olga Obradoviq. Sipas saj, Serbia ende e ka të hapur krijimin e identitetit të saj. Në këtë kontekst ajo tha se Serbia duhet të zjedhë problemin e krimeve që ka bërë dhe të përcaktojë çështjen e kufijve shtetërorë. "Derisa Serbia nuk ballafaqohet me krimet dhe derisa nuk tregon respekt për viktimat e shkaktuara atëherë ajo kurrë nuk mund të krijojë një shoqëri normale dhe me vlera demokratike", tha zonja Obradoviq.
"Të gjithë e dimë se Kosova ka një kohë të gjatë që faktikisht është e pavarur nga Serbia. Ky është vit i zgjidhjes përfundimtare, pra i njohjes formale të statusit të Kosovës. Ajo që është realitet dhe e sigurt është se Kosova është e pavarur nga Serbia dhe se ajo kurrë më nuk do të jetë nën sundimin e saj dhe sipas meje sa më parë që ta kuptojë këtë Serbia do të ketë kohë t'i kthehet vetvetes", nënvizoi Olga Obradoviq.
Kryeministri Bajram Kosumi tha se pavarësia e Kosovës do të hapte rrugë të reja të zvillimit dhe integrimit në BE, duke shtuar se jo vetëm Kosova, por të gjitha vendet e rajonit janë para një momenti historik.
Kryeministri Kosumi tha se nga Beogradi arrijnë "mesazhe dekurajuese që ua vështirësojnë jetën serbëve" dhe krijojnë probleme të mëdha për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.
Kosumi tha se institucionet e Kosovës kanë bërë një hap të madh drejt përmbushjes së standardeve, ndërsa është shprehur i bindur se negociatat për statusin do të fillojnë në shtator dhe do të zgjasin më pak se një vit.
Përfaqësuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Aleks Anderson tha se ngaa Prishtina dhe Beogradi duhet të shqyrtohet se cilat nga këto kryeqytete do të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e pakicës serbe në Kosovë dhe ndoshta edhe të pakicës shqiptare në Serbi. Sipas tij, nëse në Kosovë është kërkuar që të plotësohen standardet para statusit, dhe barrën për këtë e bartë vetëm Prishtina, atëherë nuk duket që Beogradi ka plotësuar këto standarde për mbrojtjen dhe integrimin e pakicës shqiptare që jeton në Serbi e Mal të Zi.
Kryetari i Komitetit të Helsinkit për Kosovë Gazmend Pula tha se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe në bazë të vetëvendosjes.
Kryetari i Unionit Social Demokratik dhe anëtar i Kuvendit të Serbisë, Zharko Koraq, tha se zhvillimi i konferencave dhe zhvillimi i dialogëve të tillë është me interes për qytetarët e të dy vendeve. Ai tha se përfaqësimi i nivelit të liderëve serbë në këtë konferencë është jo i barabartë me ata të Kosovës. Por ai vlerësoi se edhe pse në nivelin e partive opozitare dhe organizatave joqeveritare, ata e kanë përfaqësuara Serbinë në këtë konferencë.
Zëvendësshefi i UNMIKut Lari Rosin e vlerësoi me rëndësi të veçantë mbajtjen e kësaj konferencë në Prishtinë, duke e cilësuar si një hap shumë të rëndësishëm për proceset që po i kalon Kosova. Ai tha se sfida kryesore tani për të gjitha palët, në veçanti për Prishtinë dhe Beogradin, është që të punojnë së bashku, duke mos penguar lansimin e ideve kreative që do të ishin me interes për të të dy palët.

Deklarata e konferencës
Në Deklaratën e miratuar në këtë konferencë nga pjesëmarrësit e saj theksohet se aktorët politikë nga të dyja palët të pranojë realitetin kosovar si pikënisje për bisedime, duke pasur parasysh interesat legjitme të shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë.
"Insistojmë në respektimin dhe implementimin e plotë të të gjitha dokumenteve dhe standardeve, të cilat kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve", theksohet në këtë deklaratë.
Pjesëmarrësit kanë bërë thirrje tek autoritetet e Beogradit që të mos dezorientojnë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që në mënyrë të pavarur të veprojnë për interesin më të mirë në realizimin e të drejtave të njeriut dhe ato qytetare të pakicës serbe në Kosovë.
Gjithashtu pjesëmarrësit bënë thirrje tek institucionet e Kosovës që pikërisht në çështjen e mbrojtjes së të gjitha të drejtave të bashkësive etnike të dëshmojnë pjekurinë e tyre për ndërtimin e Kosovës demokratike, prosperuese dhe evropiane. "Përshëndesim zgjidhjen e statusit të Kosovës që bazohet në multietnicitetin dhe respektimin e plotë të të drejtave të njeriuit, duke përfshirë të drejtën e refugjatëve dhe personave të zhvendosur që mënyrë të sigurt të kthehen në shtëpitë e veta", thuhet në deklaratë. qik
Shtuar më 14/06/2005, ora 23:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori