Koshtunica hyn pa leje ne Kosove
Albeu.com
Ish-kryeministri i Serbisë Voisllav Koshtunica, i shoqëruar edhe nga Sllobodan Samarxhiq, të përcjellë nga eskortat e armatosura të tyre, kanë hyrë brenda territorit të Kosovës, pa lejen e institucioneve të saja, për të marrë pjesë në fushatën e ...... zgjedhjeve të paralajmëruara nga Serbia më 30 maj në veri të Mitrovicës.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe policisë kanë thënë se me këtë rast nuk është kërkuar leja e institucioneve shtetërore të Kosovës.

Javët e fundit në veri të Mitrovicës kanë qëndruar edhe zyrtarë politikë të Serbisë, të cilët kanë marrë pjesë në fushatën e zgjedhjeve ilegale serbe, si Goran Bogdanoviq, Tomisllav Nikoliq dhe të tjerë, të cilët nuk kanë kërkuar leje për të hyrë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së diel nga pika kufitare në veri, të cilat kontrollohen nga Policia e EULEX-it, pa leje të institucioneve të Kosovës kanë ardhur edhe Koshtunica dhe Samarxhiq, të cilët kanë zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Zveçanit, ndërsa janë takuar edhe me banorët lokalë të kësaj pjese në ambientet e Fakultetit Teknik në Mitrovicën Veriore.

Ndërkaq, gjatë orëve të pasdites, Koshtunica së bashku me simpatizantë të partisë së tij, kanë arritur deri tek ura kryesore e Mitrovicës, ku kanë brohoritur për zgjedhjet dhe kanë ftuar serbët të dalin në zgjedhje.

Përballë kësaj situate reagimi institucional i Kosovës ka qenë i mangët. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se vizita e zyrtarëve serbë është bërë pa lejen e institucioneve të Kosovës.

Ai ka thënë se kanë kërkuar nga EULEX-i që eskortat e armatosura me të cilat zakonisht zyrtarët serbë vijnë në përcjellje në Kosovë të ndalen dhe të identifikohet armatimi, por një gjë e tillë nuk është bërë.

Në lidhje me atë se pse ky kontroll nuk bëhet nga pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës në pikat 1 dhe 31 në veri, ministri Rexhepi ka thënë se zinxhiri komandues shkon përmes EULEX-it dhe se qëllimi është që të mos shkaktohen incidente.

Sipas tij autoritet përgjegjës për lejimin apo ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë është Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa vizitat e zyrtarëve serbë lajmërohen në ICO, e cila i përcjellë më pas informatat deri te institucionet e Kosovës, të cilat i marrin vendimet.

“EULEX-i nuk është i gatshëm të bëjë një pengesë të tillë sikurse e bën në pjesët tjera kufitare”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka konfirmuar për Kosovapress vizitën e zyrtarëve serbë, duke thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë, andaj edhe nuk e ka pasur për obligim që të përkujdeset për sigurinë e tyre. (kosovapress)
Shtuar më 23/05/2010, ora 23:52
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori