Koronavirusi, Manastirliu: Procedime penale për farmacitë që do të abuzojnë me çmimet
Edhe pse nuk shënohen zyrtarisht raste të koronavirusit në vendin tonë, kërkesa për maska apo prodkteve të higjenës ka qenë aq e lartë, sa ato nuk gjenden më në treg. Edhe çmimi i tyre është rritur ndjeshëm.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu paralajmëroi se do të ketë procedime penale për farmacistët ku ka patur rritje çmimi të produkteve të higjienës personale që këshillohen të përdoren për tu mbrojtur nga koronavirusi.

Drejtuesi i emisionit pyeti ministren se a ka informacion se çmimet e këtyre produkteve janë rritur pa logjikë brenda 24 orëve, ndërsa ajo njoftoi se inspektorët kanë dalë në terren për të bërë verifikimet.

“E para duhet të nuk duhet të biem pre e panikut. Në Shqipëri të gjithë kanë vërshuar për të marrë masa të higjienës personale. Ne kemi marrë masa në strukturat spitalore që mos të ketë mungesa. Të gjithë elementët mbrojtëse të ekipeve janë dhe do të jenë".

"Në farmaci do të vijojë furnizimi sipas kërkesës. Kemi nxjerrë inspektoratin e barnave mjedisore për të bërë kontrollin për këtë inspektorët po vlerësojnë çmimet. Do të ketë kallëzime penale për farmacitë që abuzojnë me çmimet”, tha ministrja Ogerta Manasterliu.

“Nëse vendosim të aktivizojmë strukturat e karantinës nuk do të jetë sekret, kemi më shumë se një strukturë. Momentalisht nuk është vlerësuar nevoja e hapjes së karantinës”, tha ministrja

E pyetur nga Blendi Fevziu lidhur me kapacitetin e shtretërve në karantinë, Manastirliu tha se strukturat e karantinës i tejkalojnë 180 shtretër, ndërsa tha se në të gjithë vendin janë më shumë se 30 mjekë infeksionistë.


Shtuar më 24/02/2020, ora 23:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori