DASH: Shkupi e Sofja të vazhdojnë dialogun

I inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase, kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin marrë ndonjë garanci nga partnerët bullgarë se nuk do të ketë veto të re për integrimet evropiane të Maqedonisë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një debat të Kongresit për rajonin muajin e kaluar tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me qeverinë e re bullgare për të siguruar që të mos ketë kërkesa të reja pasi vendi të përmbushë detyrimet e saja sipas marrëveshjeve ekzistuese. “SHBA-ja mbështet fuqishëm integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Një Bashkimi Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më i begatë. Ne inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të përmbushur marrëveshjet e mëparshme dhe për të mbështetur anëtarësimin e përshpejtuar të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Më 18 gusht është caktuar seanca për fazën e parë për votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë “Për të vazhduar aspiratat e saj për BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është zotuar të miratojë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare. Ne e mbështesim fuqimisht këtë hap të vështirë, por të domosdoshëm”, tha Escobar në Kongres.
Për momentin, nuk ka konsensus mes qeverisë dhe opozitës për ndryshimet që do t’i lejojnë bullgarët të hyjnë në Kushtetutë, i cili është kusht për hapjen e kapitujve të negociatave.


Shtuar 8.08.2023 13:44