Kontrolli i ILDKP-së, reagon Dritan Prifti
Pëlqej
Ish-ministri i METE, Dritan Prifti ka reaguar pas akuzave të bëra nga ILDKP duke i cilësuar ato si të pavërteta. Prifti ka publikuar korrespondencën e plotë me Inspektoratin si dhe një shkresë të tatimeve të Fierit që kundërshtojnë ILDKP-në. Publikimi i këtyre të dhënave vjen në një kohë kur Dritan Prifti është larguar nga mazhoranca duke u pozicionuar në opozitë me qeverinë.

"Për sa i takon shlyerjes së tatimit në burim nga Znj. Meri Prifti për shitjen e 30.5% te kuotave Z. Rasim Hamzaraj, ju sqarojmë se kjo shitje është bërë pa fitim, pra me vlerën nominale të aksioneve, dhe si rrjedhoje nuk ka detyrim për të paguar tatim në burim. Meqë Znj. Meri Prifti nuk është eksperte për këtë fushë, kemi pyetur dhe në Drejtorinë e Tatimeve Fier dhe na është dhënë e njëjta përgjigje",- thuhet në reagimin e Priftit. Më datë 15 tetor 2010, tatimet e Fierit i kanë kthyer përgjigje Inspektoratit se shitja e "FORTIS 2" nuk është subjekt i mbajtjes së tatimit mbi të ardhurat në burim. "Në përfundim rezulton se kjo kontratë shitje të aksioneve që ka bërë njëri prej aksionerëve të Shpk FORTIS 2, nuk është objekt i nenit 33 "Mbajtja e tatimit mbi te ardhurat ne burim",- thuhet në shkresën e tatimeve.

Në lidhje me gjobën për emërimin e Rasmi Hamzarajt si anëtar bordi në OST sh.a., Prifti ka sqaruar se ky emërim nuk përbënte konflikt interesi në momentin kur është bërë. "Z. Hamzaraj ka qenë person i besuar sipas marrëveshjes së datës 10.09.2009 i bashkëshortes time dhe nuk ka pasur asnjë marrëdhënie besimi apo marrëveshje me mua si ministër. Në frymën e ligjit për konfliktin e interesave më është sqaruar se ligji nuk vepron mbi një person të lidhur me personin e lidhur. Pra Z. Hamzaraj, si person i lidhur me bashkëshorten time përjashtohet nga lidhja ime me bashkëshorten time",- thuhet në reagimin e Priftit. Sipas tij, për këtë çështje është konsultuar edhe me një nga inspektorët e ILDKP-së, i cili i ka sqaruar se nuk përbën konflikt interesi. (albeu.com)
Shtuar më 03/11/2010, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori