Ministrja suedeze për BE: RMV-ja të mbetet në rrugën evropiane!

Maqedonia e Veriut duhet të qëndrojë në rrugën evropiane, kanë vlerësuar në Shkup, Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe Ministrja suedeze për BE-në, Jesika Rosval. Bashkëbiseduesit janë dakorduar se Suedia vazhdimisht mbështet rrugën evropiane të RMV-së dhe ka rol të madh në progresin e agjendës reformuese, njofton KlanM.

Vizita e Ministres suedeze për BE në Shkup, gjatë kohës së kryesimit të Suedisë më Këshillin e BE-së, ka një rëndësi të madhe politike për Maqedoninë e Veriut – ka deklaruar Zv/Kryeministri Bojan Mariçiq.

Ministrja suedeze Rosval, sic njofton KlanM, ka deklaruar se Suedia mbështet rrugën evropiane të RMV-së, por mbetet që vendi t`i zbatojë “detyrat e shtëpisë” që dalin nga korniza negociuese, sic tha, me konsensus të përbashkët rreth çështjes së perspektivës evropiane të vendit.

Ministrja suedeze për BE, gjatë vizitës zyrtare në Shkup, ka takuar edhe Presidentin Stevo Pendarovski dhe Ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani.

Presidenti Pendarovski, sic njofton KlanM, ka riafirmuar mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Suedisë në NATO, që do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të Evropës – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Nga Shkupi, delegacioni suedez viziton edhe Tiranën, ku Ministrja Rosval do të realizojë takime me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, sic njofton KlanM, me 19 Korrik 2022, nisën negociatat për hyrje në BE, por Kuvendi I Maqedonisë së Veriut, duhet t`i miratojë ndryshimet kushtetuese dhe t`i fusë Bullgarët në Kushtetutë që të nis hapja e kapitujve në negociatat me Brukselin./ina