Kontratat, Prokuroria heton shtëpinë që Sinanaj mori si "hak pune"
Julian Sinanaj
Merret në pyetje noterja që ka bërë regjistrimin e pronës në emër të njerkës së vrasësit me pagesë, Julian Sinanaj. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, noterja me iniciale Arta M., ka theksuar gjatë dëshmisë së saj, gjatë nënshkrimit të kësaj kontrate kanë qenë të pranishëm edhe Sinanaj, si dhe i arrestuari tjetër, Andon Mëhillaj, i cili dyshohet se ka qenë porositësi i disa vrasjeve në qytetin e Vlorës, shkruan Gazeta Shqiptare.

Dëshmia

Vetëm katër ditë pas vrasjes së peshkatarit të Orikumit, Sokol Veizaj, i dyshuari si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj dhe i arrestuari tjetër, Andon Mëhillaj janë paraqitur në zyrën e noteres A.M në qytetin e Vlorës dhe kanë kërkuar që të nënshkruajnë një kontratë për një apartament.

Burime nga grupi hetimor i kësaj çështjeje sqarojnë se gjatë dëshmisë nuk i kishte parë asnjëherë më parë dy personat, duke theksuar se ata që të dy silleshin pak çuditshëm, pasi nuk flisnin asnjë fjalë mes tyre. Por, sipas noteres, çdo akt që ata kryen ishte në rregull me ligjin.

Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se Mëhillaj është paraqitur në zyrën e noteres për të nënshkruar aktin e dhurimit të një apartamenti prej 64 metra katrorë "killerit" me pagesë, Julian Sinanaj.

Duke marrë parasysh faktin se kjo marrëveshje është nënshkruar vetëm katër ditë pas vrasjes së peshkatarit Veizi, grupi hetimor është duke hetuar pistën se apartamenti ka qenë dhurata e Mëhillaj për porosinë e kryer nga 31-vjeçari, Sinanaj. Mes dy personave situata fillimisht ka qenë pak e acaruar për shkak se Sinanajt për këtë vrasje i ishte premtuar një sipërfaqe trualli prej 1500 metra katrorë, ndërsa në fund ka marrë vetëm një apartament 64 metra katrorë.

Ky ndryshim planesh ka qenë edhe shkaku i konfliktit mes "killerit" me pagesë, si dhe të dyshuarit si porositës i vrasjeve, Andon Mëhillaj. Marrëdhënia e ftohtë është ndierë edhe në zyrën e noteres me iniciale A.M.,e cila ka vënë re se mes dy personave që ishin në zyrën e saj kishte shumë tension, edhe pse ata të dy nuk komunikonin me njëri-tjetrin.

Edhe pse në fillim i ka bërë përshtypje sjellja e tyre, noterja ka pranuar që të përpilonte dokumentin për të kaluar pronësinë e apartamentit nga Andon Mëhillaj tek njerka e 31-vjeçarit, S.Sinanaj, e cila është bërë pronare e këtij apartamenti pas datës 30 gusht të dy viteve të kaluara.

Hetimet
Pjesë e hetimeve të organit të akuzës është bërë edhe transaksioni në llogarinë bankare të motrës dhe nënës biologjike të "killerit" me pagesë, Julian Sinanaj. Për këtë arsye, në pyetje janë marrë edhe punonjësit e një filiali banke të nivelit të dytë, ku Andon Mëhillaj ka derdhur shuma të konsiderueshme parash, në emër të nënës dhe motrës biologjike të vrasësit me pagesë.

Sipas grupit hetimor, dyshohet se Mëhillaj ka derdhur një shumë të konsiderueshme parash në emër të familjarëve të Sinanaj.

Pas verifikimeve, u vu re se Mëhillaj në muajin qershor të 2013, kishte derdhur një shumë parash prej 7500 eurosh, të cilat kanë kaluar në emër të nënës biologjikeSinanaj. Mendohet se ky është edhe shpërblimi që Mëhillaj i ka dhënë 31-vjeçarit për vendosjen e tritolit në banesën e Ardian Kollozit, kryetarit të PD-së në Vlorë.

Ndërkohë, disa javë më vonë, Mëhillaj paraqitet në të njëjtën bankë, për të kaluar në numrin e llogarisë bankare të nënës biologjike të vrasësit rreth 35 mijë euro, e cila dyshohet se është paguar për vrasjen e biznesmenit Agron Çela. /albeu.com/
Shtuar më 16/02/2014, ora 09:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori