Kontrabandë ushqimesh në Kapshticë, pranga 48-vjeçarit
Policia e Korçës ka arrestuar një 48-vjeçar nën akuzën se ka kryer kontrabandë mallrash. Emri i tij tha policia është: Jorgo Liço, banues në Korçë. "Arrestimi i tij u bë pasi, ky shtetas u kap në flagrancë, nga grupi i Antikontrabandës i planizuar në afërsi të qytetit të Bilishtit, me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz” me targë AA927BH, me një sasi mallrash ushqimore(pastiçerie) të dyshuara si kontrabandë, të cilat nuk ishin deklaruar nga ana e tij, në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës”, thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp.

Në vijim të hetimeve, policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë edhe ndaj dy doganierëve, përkatësisht E.Ç, 37 vjeç, banues në Tiranë, si edhe L.K, 57 vjeç, banues në fshatin Sovjan-Korçë, të dy me detyrë doganierë në Doganën e Kapshticës, pasi dyshohet se këta të fundit, nuk kanë ushtruar kontroll, tek automjeti i shtetasit të lartpërmendur, duke shpërdoruar detyrën.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale:“Kontrabanda me mallra të tjera” ndaj 48 vjeçarit dhe “Shpërdorimi i detyrës” për dy doganierët. /albeu.com/
Shtuar më 06/07/2016, ora 13:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori