Konkluzione mbi hijeshinë dhe profesionalizmin në media
Pëlqej
nga Erion Muça -

Debatet e ditëve të fundit midis një analisti dhe moderatoreve të emisoneve sportive ende janë të ndezura dhe nuk dihet sesa do të zgjasin.

Midis një lumi motivesh, arsyesh dhe deklaratash provokative dhe sulmesh, thelbi se si qëndron e vërteta ende duket e turbullt. A është ky një sulm provokativ për ngjizje debati për tërheqjen e vemendjes së humbur mediatike? A është ky denoncim i një fenomeni që gjendet shpesh vërdallë dhe i cili na etiketon si popull që e duam të bukurën por nga ana tjetër preferojmë më tepër fasadën sesa përmbajtjen dhe thelbin? A është kjo një formë për të rritur shikueshmërinë e emisioneve sportive apo një model i transferuar nga jashtë?

Në morinë e këtyre pyetjeve në kërkim të së vërtetës pashmangmërisht dalim në disa konkluzione të cilat qëndrojnë më afër realitetit mbi shpjegimin e këtyre përplasjeve.

Konkluzioni i parë është fakti se më në fund po guxohet pavarësisht kontekstit, qëllimit apo momentit, të denoncohet fuqimisht dhe publikisht fakti se në Shqipëri mund të jesh i suksesshëm se dikush të ofron një mundësi punësimi dhe më pas e mban me hiret atë.

Konkluzioni i dytë është se të qenit i bukur dhe i pashëm është një dhunti natyrore që na e ka falur zoti dhe menyra e veshjes shërben për kurimin mediatik, për një dukje sa më estetike dhe kjo është domosdoshmëri në ekran dhe aspak shfrytëzim i ekranit për famë, pavarësisht se përceptimi në të shumtën e rasteve është i tillë.

Konkluzioni i tretë lidhet me faktin se në Shqipëri po masivizohet modeli i mbushjes së ekraneve me vajza të pashme por pa autoritetin e mjaftueshëm për të qenë profesioniste, pasi pjesa më e konsiderueshme e tyre janë produkte të përvojës marrë rrëmujshëm e përciptas dhe jo profesioniste të ardhura nga një backround minimal profesional.

Konkluzioni i katërt është prishja e sistemit dhe hierarkisë së tregut mediatik referuar meritokracisë në punësimin dhe promovimin në media. Këto vajza moderatore mund të rrezatojnë një komunikim dhe pozitivitet ekstrem ashtu sikundër mund të jenë vajza shumë të mira por pyetja është: A janë punësuar nëpërmjet meritës dhe profesionalizmit apo janë katapultuar në punë duke u bërë të famshme pa u impenjuar shumë të formohen për të ndërtuar një identitet profesional apo fushë kompetence në një drejtim profesional të caktuar.

Konkluzioni i pestë lidhet me menyrën sesi është kryer sulmi, i cili më shumë duket ndaj imazhit dhe për përfitim audience sesa për të trajtuar një fenomen në rritje kohët e fundit. Qëllimi i tij duket më tepër për të tërhequr vemendjen sesa për të analizuar me detaje problemin dhe rekomanduar disa zgjidhje edhe më profesionale sesi situata dhe gjendja të ndryshojë.
Konkluzioni i gjashtë duket si shigjetim jo pa arsye i dy moderatoreve, të cilat nga pikëpamja profesionale nuk janë përfaqësuese tipike të këtij fenomeni përkundrazi janë pak më të afta se pjesa më e madhe e moderatoreve që luftojnë fort me aparencën por shumë pak ose aspak me profesionalizëm.

Konkluzioni i shtatë lidhet me strategjitë që ndiqen për të rritur audiencën duke njohur paraprakisht se ҫfarë kërkon më tepër tregu. Tregu kërkon dhe preferon debat, gjakënxehtësi, reagime të forta, sulme dhe deklarata bombastike dhe pak ose aspak ato që kanë karakter profesional dhe edukativ, e aq më pak ato që shërbejnë si modele moderne dhe novatore në të cilat do të duhet të ecim.

Konkluzioni i tetë lidhet me mentalitetin tonë dhe mungesën e kulturës dhe nivelit të debatit, ku pavarësisht tematikave të rëndësishme, të frytshme dhe produktive të shumë diskutimeve dhe debateve, shpesh ato degjenerojnë në banalitete pa vlerë. Koncepti ynë për të qenë të parët si dhe geni gjakënxehtë ballkanas shpesh na largon nga qetësia apo mirëmenaxhimi i emocioneve për të përballuar me qetësi situata të tensionuara dhe provokative. Shpërthimet e pakontrolluara të nervozizmit janë tipike për Shqiptarët, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve edhe nga mungesa e strukturimit dhe toneve të moderuara, sjellin pashmangshmërisht më shumë zhurma shurdhuese sesa vizion të qartë rezultatesh.

Konkluzioni i nëntë lidhet me influencat mediatike-ekonomike të cilat krijojnë edhe një konkurencë apo përshtjellim midis emisioneve televizive, moderatorëve dhe gazetarëve të ndryshëm, të cilët kushtëzohen dhe shtyhen rrjedhimisht të kërkojnë dhe gjejnë, metoda apo formula, për ti mbijetuar tregut dhe bërë konkurues duke braktisur profesionalizmin e ndërtuar përballë audiencës, vetëm për tu përshtatur me tendencat dhe shijet e saj duke rritur kështu edhe vlerën e pagës së tyre.

Konkluzioni i dhjetë ka të bëjë me mungesën e sistemit të standartizuar të tregut të gazetarëve, atmosferën por edhe kushtet e të brit gazetari profesionale në Shqipëri. Gazetarët ap dhe moderatorët nuk luftojnë për të konsoliduar veten në treg mbi bazë merite apo me bazë rregullat e lojës të vendosura që në fillim dhe të mirëpranuara nga të gjithë sesi duhet të jetë, ndërtohet dhe funksionojë organigrama në tregun e gazetarisë duke marrë për bazë tregues të rëndësishëm si: Eksperienca e punës, lloji i medias dhe kontributi i dhënë në të, punët kërkimore dhe angazhimi publik si dhe arritjet apo rezultatet pozitive të këtij angazhimi, zhvillimi profesional përgjatë punës dhe paralel me të, me karakter investigativ apo raportues, kodin e etikës, kodin e veshjes, etj.

Në të vërtetë është pikërisht trajtimi apo analizimi i këtyre treguesve dhe dhjetë konkluzioneve që do të sillte një sistem të standartizuar dhe të mirëpranuar të të bërit gazetari në Shqipëri, që media të mos ishte konfliktuale me vetveten. Këta indikatorë do të duhet të ishin primarë në konceptimin apo ndërtimin e hershëm të një makro sistemi dhe mirëplanifikimi të tregut mediatik, që sot mos të gjendeshim përballë një diskutimi apo debati, i cili profesionalisht në thelb dhe si konkluzion ndër të tjera, ka thjesht dhe vetëm mosrespektimin e kodit të veshjes, me një rëndësi dhe impakt të caktuar në daljet publike.
Shtuar më 17/03/2018, ora 20:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori