Kongresmeni amerikan: Hetim fotos Obama-Rama
Kongresmeni amerikan, republikani Dana Rohrabacher, i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA të nisë hetimet për foton e Edi Ramës me presidentin amerikan, Barack Obama.

Gazeta ka zbuluar letrën, e cila është publikuar dhe në website-n e kongresmenit në adresën: "http://rohrabacher.house.gov/press-release/rohrabacher-calls-investigation-compromise-federal-election-law-albanian-politician".

Sipas kongresmenit, objekt i hetimit duhet të jetë "një komplot i mundshëm nga shtetas të huaj për të anashkaluar ligjet e financimit të fushatës amerikane".

Kongresmeni amerikan hedh dyshime për burimin e financimit të dy biletave të blera nga një shqiptar që punon në SHBA si shofer limuzine.

"Çështja përfshin blerjet e dy biletave 40000 dollarëshe nga një mbledhje fondesh në San Francisco për Presidentin Barack Obama, të mbajtur më 12 tetor 2012. Këto bileta janë blerë nga Bilal Shehu, një shofer limuzine shqiptar, dhe gruaja e tij. Megjithatë, gruaja e tij nuk mori pjesë në këtë ngjarje. Në vend të saj, bileta është përdorur nga Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste shqiptare. Në këtë rast, Rama pozoi me Presidentin Obama për një foto, të cilën ai tani është duke e përdorur me mashtrim gjatë fushatës së tij zgjedhore, për Kryeministër të Shqipërisë", thuhet në letër.

Ai hedh dyshime mbi burimet e këtij donacioni. “Është e dyshimtë nëse familja Shehu mund të ketë ofruar të paguajnë 80.000 dollarë për të marrë pjesë në një ngjarje të fushatës, apo për të fluturuar nga shtëpia e tyre në Nju Xhersej, për në Kaliforni. Nga erdhën këto para?”, shkruan Rohrabacher. Fotografia ku kreu i PS-së pozon me Presidentin amerikan, po përdoret sipas kongresmenit në fushatë elektorale, ndërsa sipas tij Rama si një shtetas i huaj nuk duhet të ishte donator i fushatës për mbledhjen e fondeve të Barak Obamës.

"Shtetasve të huaj si Rama nuk u lejohet të kontribuojnë në fushatat zgjedhore amerikane dhe kontributet e pastruara të fushatës nëpërmjet dikujt tjetër janë gjithashtu krim. Këto kontribute të dyshimta mund të jenë gjithashtu pjesë e një skeme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, një aleat i NATO-s", shkruan kongresmeni. Rohrabacher vijon në letrën e tij, duke thënë se me foton e Ramës me Presidentin Obama kemi të bëjmë me një mashtrim.

"Nënkuptimi i një marrëdhënie me Presidentin Obama është mashtrim. Nëse është marrë një burim të hollash nga jashtë, për të kryer foton, kjo do të thotë se ligjet në SHBA janë shkelur. Nëse fotografia rezulton se është duke u përdorur për të sugjeruar një marrëdhënie të vazhdueshme, po bëhet një mashtrim mbi popullin e Shqipërisë", shkruan Rohrabacher.

Kongresmeni Rohrabacher është kryetar i Nënkomitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit për Europën, Euroazinë dhe kërcënimet e reja. /albeu.com/
Shtuar më 17/06/2013, ora 13:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori