"Çmendet" Interi, Barella realizon supergol (VIDEO)
Konflikti Rama - Meta nga jashtë godinës së pushtetit
nga Fatos Lubonja - Në shkrimin paraardhës me titull “Laguna Blu dhe kapitalizmi ynë kafshëror” e kam krahasuar pushtetin oligarkik në Shqipëri me një godinë trekatëshe me një shkallë të lëvizshme që lidh katin e parë të bizneseve klienteliste, me katin e dytë të mediave klienteliste dhe katin e tretë të partive/banda (me aneks drejtësinë) - ndërkohë që, në një demokraci, ato duhet të jenë pushtete të ndarë. Në atë shkrim kam thënë midis të tjerash se kam më shumë respekt për trafikantët sesa për njerëzit e këtyre tre kateve: politikanë, pronarë mediesh, gazetarë dhe biznesmenë që pasurimin e tyre e kanë bazuar në mashtrimin dhe grabitjen e publikut.

Pas kritikave të disa lexuesve të vëmendshëm më duhet të bëj një korrigjim. E kam pasur fjalën për ata trafikantë që, në një mënyrë apo tjetër, kanë qëndruar jashtë lidhjes me tre katet e godinës e që shpesh kanë përfunduar të vrarë apo nëpër burgje. Kurse atyre që paratë e drogës i kanë përdorur për të hyrë në godinën e pushtetit më duhet tu gjej një vend të veçantë. Them se u shkon më së shumti bodrumi. Pra shkallës lëvizëse që lidh tre katet e godinës i duhet shtuar edhe një segment që siguron zbritjen dhe ngjitjen në bodrumin e krimit. Aq më tepër duke patur parasysh se banorët e bodrumit janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm në aktivitetet e kateve të tjera.

***

Kohët e fundit godina po lëkundet nga ulje ngritjet e një të ashtuquajturi konflikti RamaMeta. Arsyet e këtyre lëkundjeve mbeten të paqarta pasi, shumëçka që na vjen nga kati i dytë, më shumë na fut në pista të gabuara, sesa na ndihmon për të kuptuar. Prandaj, për të kuptuar diçka më shumë, sipas meje, lipset një vështrim nga jashtë i të gjithë godinës. Dhe pamja nga jashtë tregon se konfliti nuk duhet parë si sherre për pushtet në katin e tretë, siç e shohin shumë, por në kontekstin e një krize të të gjithë godinës.

Kjo krizë është e dyfishtë: më një anë kemi krizën e rëndë ekonomike në të cilën e ka zhytur vendin godina; më anë tjetër krizën e rëndë të besimit ndaj godinës, ku, në rreth vicioz, kriza ekonomike ka shtuar krizën e besimit dhe kriza e besimit thellon krizën ekonomike. Lëkundjet e raportit Rama - Meta duhet t’i shohim më së pari si manifestim të kësaj krize. Dhe vetëm pastaj të shtrojmë pyetjen: mos vallë ardhja e Edi Ramës e ka thelluar këtë krizë dhe pse.

Kriza ekonomike

Për krizën ekonomike është e tepërt të zgjatem. Ajo është pasojë e një ekonomie të dështuar piramidale, të bazuar mbi mashtrimin dhe grabitjen e publikut, që po arrin në grahmat e fundit. Për të dalë prej saj duhen operacione serioze e të përgjegjëshme që të synojnë shkatërrimin e kësaj godine, ndërprerjen e lidhjeve kriminale të punëve të katit të tretë me punët e kateve të tjera dhe ndërtimin e strukturave të tjera të ndara. Mirëpo këtë as që e mendojnë njerëzit e godinës.

Përkundrazi, ata kanë lëshuar taksidarët e policët të ushtrojnë terror psikologjik dhe fizik kundër njerëzve për të mjelur të ardhurat e fundit që u kanë mbetur. Kjo ka thelluar krizën ekonomike sepse njerëzit, nga ana e tyre, nuk mbajnë dot më dhe mbyllin qepenat e ikin - derisa të vijë një ditë kur të sulmojnë godinën për të ndaluar grabitjen që po u bëhet. Kaq po them për krizën ekonomike pasi kam përshtypjen se të gjithë e kanë të qartë se për çfarë po flas ngaqë e përjetojnë përditë si ethe në trup.

Kriza e besimit

Problemi është se deri dje, megjithë varfërinë dhe vështirësitë ekonomike në rritje, godina ka mbijetuar. Një nga shkaqet e mbijetesës ka qenë propaganda që godina ka përhapur nëpërmjet katit të dytë për të mbajtur gjallë besimin tek ajo nëpërmjet alternimit të njerëzve të katit të tretë, veçanërisht nëpërmjet lojës së ashtuquajtur të votimeve. Gjatë viteve kjo propagandë ka ndërruar gjuhë.

Fillimsht i ka ndarë njerëzit e katit të tretë në “të mirë” dhe “të këqij”, pastaj në “më të mirë” e “më të këqinj”, pastaj në “e keqja më e vogël”, deri tek “qelbësirat” kundër “kryeqelbësirës”. Sot kemi arritur në pikën e konsumimit të kësaj loje. Sipas meje dy vjetët e Edi Ramës konsumuan mashtrimin e fundit të godinës.

Konflikti Rama - Meta

Megjithatë, siç ndodh rëndom me ata që janë mësuar me pushtet dhe e humbasin kontaktin me realitetin, njerëzit e godinës nuk e shohin kështu gjendjen. Ata mendojnë se mund ta vazhdojnë lojën e alternimit të kryeqelbësirave që bëhen qelbësira dhe të qelbësirave që bëhen kryeqelbësira. Tek ky gabim e ka burimin, sipas meje, konflikti Rama - Meta. Konflikti është një përpjekje mashtruese e rradhës për të gjetur një kryeqelbësirë për t’ia hedhur publikut që ky të besojë edhe ca kohë tek qelbësirat e godinës.

Dhe nuk ka dyshim se qoftë PS-ja qoftë PD-ja mendojnë se më i përshtatshmi për këtë rol është Ilir Meta. Ndërkaq ky kundërvepron për të mbrojtur interesat e tij duke u thënë direkt ose indirekt se s’mund ta bëjnë këtë lojë me të, sepse ai u njeh dhëmbë e dhëmballë të tërë qelbësirave të godinës të të tëra kateve.

Kjo lojë po njeh kohët e fundit ulje ngritjet e veta. Pas reagimit të fundit të Metës kundër kryeprotagonistit të kësaj përpjekje për mashtrim, Ramës, u duk sikur do të bëhej nami, do të binte qeveria, por shpejt konflikti u qetësua, ndoshta me ndonjë pazar të rradhës të mbyllur edhe me njerëzit e katit të parë, ndërkohë që publikut iu shfaq filmi i vjetër tashmë i bërë bozë: “Fajin e ka Doktori”. Por kuptohet se kjo nuk do të zgjasë shumë, sepse gjendja po precipiton.


Roli i Ramës

Sipas meje Rama, përveç faktit se e gjeti vendin të superlodhur nga kriza ekonomike dhe e besimit ku e la doktor Berisha po bëhet një katalizator i jashtëzakonshëm i përshpjetimit të saj. Ai po bën të na shfaqen me shpejtësi dhe evidencë të paparë veset më të këqija të godinës. Ose, thënë ndryshe, Rama po bën veprime që po i çjerrin përfundimisht maskën godinës.

Së pari, ai e ka çuar në ekstrem arrogancën dhe korrupsionin e godinës. Nuk di të them nëse është droga e pushtetit apo efekti i kokainës për të cilën e kanë akuzuar shpesh, por arroganca dhe egërsia me të cilën qeveria e tij po grabit njerëzit jashtë për të paguar të tijtë brenda ka arritur kulme të papara. Ai po i tejkalon edhe normat më të ulëta morale me të cilat kanë punuar deri më sot njerëzit e godinës, qoftë me njerëzit jashtë godinës qoftë edhe me njëri – tjetrin brenda.

Është e pabesueshme lehtësia me të cilën nxjerr ligje për të futur në burg njerëzit e thjeshtë për një faturë ndërkohë që vetë i shkel ligjet në mungesë të plotë transparence për të favorizuar veten dhe të tijtë. ǒtë thuash për lejet e ndërtimit që u jep buzë detit apo tek Parku Sandrit dhe Samirit pasi i ka akuzuar këta si simbol i lidhjeve korruptive të biznesit dhe mediave me pushtetin dhe ka premtuar pastrimin e bregdetit dhe ndalimin e lejeve të ndërtimit në Kryeqytet? Po për faktin se e sheh më shumë jashtë se brenda vendit dhe, s’mjafton kjo, por nëpër udhëtimet merr me vete edhe pikturat për të çelur ekspozitat e tij personale?

Së fundi i la njerëzit pa gojë me idenë çmendurake për të paisur ministrat me jaguarë, çka është një sklandal i dyfishtë: si për faktin e makinave të shtrenjta që ka zgjedhur edhe për paturpësinë e dhënies së tenderit klientit të tij. E pastaj, në bazë të parimit krimi ndjell krimin, këto bëma e çojnë deri tek propozimi i një shtesë të ligjit mbi shpifjen ku shkruhej: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Pjesa tjetër ku ai po jep kontribut personal është prishja e raporteve brenda godinës. Kapot e vjetër të godinës kanë ndërtuar kodin e tyre të sjelljes jo vetëm me njerëzit jashtë, por edhe me njëri tjetrin çka me dy fjalë mund të përmblidhet me garancinë e pandëshkueshmërisë dhe njëfarë ndarje të territorit përsa i përket përfitimeve. Edhe takimi i Metës me Ramën në Lalëz, ku u vendoz aleanca, ishte pjesë e këtyre marrëveshjeve mafjoze.

Mirëpo Rama nuk po jep siguri se do ta respektojë këtë marrëveshje. Ai kalon me lehtësi nga marrëveshjet mafjoze në gjendje delirante duke u paraqitur sikur ai është i miri që po e pengojnë të këqijtë si Ilir Meta për të pastruar Shqipërinë.

Për këtë po manovron që aneksin e drejtësisë ta bëjë instrument krejtësisht të vetin dhe po ashtu duke lëshuar thirrje si ajo e fundit: “bëhuni me PS që të pastrojmë Shqipërinë”. Sigurisht kjo ka acaruar Ilir Metën dhe jo vetëm. Sepse nuk mund të flasë për pastrim të Shqipërinë njeriu që ka lidhje më shumë se të gjithë të tjerët me njerëzit e bodrumit.

Po ashtu, kohët e fundit, po i thekson prirjet delirante për tu bërë zot i vetëm i të gjithë godinës – që do të thotë edhe të përfitimeve të katit të parë - duke ia kaluar në këtë delir edhe paraardhësit të tij që këtë delir e kishte jo të vogël.

Në këtë kontekst edhe raporti i tij me katin e dytë po bëhet gjithnjë e më problematik. Megjithëse mediet dhe shumica e gazetarëve punojnë për godinën, ato deri më tani, për hir të lojës që bëjnë, kanë gëzuar një lloj autonomie. Psh. më së shumti cenzurën ndaj gazetarëve e kanë ushtruar pronarët e mediave që kanë shërbyer edhe si ura lidhëse e medieve me bodrumin, katin e parë dhe katin e tretë. Kurse Rama po kërkon ta bëjë vetë edhe punën e cenzuruesit.

Të vetmit me të cilët duket se ka ende marrëdhënie të mira janë njerëzit e bodrumit, por edhe kjo i ka krijuar shumë probleme me njerëzit e kateve të tjera sepse ata, jo vetëm që duan ta ruajnë një lloj aparence, por ndjehen edhe të kërcënuar nga pushtimi që po i bëjnë katit të tretë, me inkurajimin e Ramës, ata të bodrumit.

Si përfundim

Vështruar nga jashtë pamja tregon se në punën e së keqes njerëzit e godinës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten komplementarë të njëri tjetrit. Konflikti Rama - Meta i kohëve të fundit, sipas meje, thellë thellë duhet interpretuar në këtë kontekst si një shmangie e të gjithëve nga e vërteta e krizës që kanë krijuar sëbashku. Ndërkaq, dalja e një njeriu me karakteristikat morale të Ramës në krye të godinës duhet parë si shprehja më eksplicite e degjenerimit shumëvjeçar të saj.

Aktorët e katit të dytë që bëjnë sot sikur janë të zhgënjyer me Ramën, apo që e nxisin “të mirin” Rama t’i bjerë “të keqit” Meta, bëjnë thjesht lojën e godinës sepse dihej që Rama ishte një nga themeluesit e kësaj godine.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që shpresojnë se Meta do të bëjë më në fund një lëvizje të fortë kundër marrëzive të Ramës si dhe për ata të opozitës që u drejtohen vazhdimisht atyre që votuan Ramën duke u thënë: a ju paralajmëruam që do të binit nga shiu në breshër me këtë kokainoman? Këtyre u duhen bashkuar edhe ata ironikë, indiferentë apo të nënshtuar që mendojnë se godina në fjalë është kapelja që meritojnë shqiptarët, me fjalë të tjera se kjo mafje në pushtet, gjithsesi, krijon një lloj qëndrueshmërie dhe sigurie, dhe që e presin zgjidhjen e krizës brenda lojës së saj.

Personalisht ngulmoj se ashtu siç analiza e krizës duhet bërë nga jashtë godinës edhe zgjidhja duhet kërkuar jashtë saj. /Albeu.com/
Shtuar më 17/11/2015, ora 22:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori