Konflikti për semaforin, bashkia kallëzon penalisht Çipën dhe Zhupajn
Pëlqej
Bashkia e Tiranës ka depozituar sot në Prokurorinë e rrethit Tiranë kallëzimin penal kundër shtetasve z. Ardian Çipa, me funksion drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë dhe z. Gëzim Zhupaj, me funksion shef i komisariatit të Policisë, nr 3. nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

"Personat e sipërpërmendur akuzohen për shpërdorim detyre, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal, për veprime dhe përmbushje të urdhrave arbitrare, bazuar në nenin 250 të kodit penal si dhe mosmarrjen e masave për pushimin e efekteve të veprimeve të jashtëligjshme, bazuar në nenin 251 të kodit penal. Personat e sipërpërmendur, me veprimet dhe mosveprimet e tyre janë direkt përgjegjës për veprën e heqjes së lirisë të 5 personave, punonjës të Bashkisë Tiranë dhe për bllokimin e jashtëligjshëm të punimeve për ndërtimin e nyjes semaforike, pranë shkollës “Harry Fultz”. Në thyerje të plotë të ligjit dhe kompetencave që ligji i njeh Policisë së Shtetit, kjo e fundit është bërë vegël qesharake, duke zbatuar symbyllazi porositë politike të kryeministrit për të bllokuar Bashkinë e Tiranës. Nuk është hera e parë që institucione të cilat ligjërisht duhet të jenë të depolitizuara, keqpërdoren politikisht, në thyerje të rëndë të ligjit, për të bllokuar Bashkinë e Tiranës. Rasti flagrant i bllokimit të bulevardit të Tiranës tregon shumë për luftën politike të paprinciptë që kryeministri Rama i ka hapur Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës", thuhet në deklaratën e Bashkisë.

Bashkia e Tiranës siguron të gjithë qytetarët e saj, se do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe misionin e saj kundrejt tyre, në bazë të ligjit dhe interesit më të lartë publik. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 14:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori