Konflikti në Irak dhe Siri, në rrezik për jetën edhe 73 shqiptarë
Koordinatori Kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm, Agron Sojati ka deklaruar se rreth 73 shtetas nga Shqipëria ndodhen në zonat e konfliktit në Irak dhe Siri.

Ai deklaroi për News24 se burra, gra dhe fëmijë janë identifikuar me emra, dihet vendndodhja e tyre dhe se në pamundësi për të patur një komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet repsektive të kampeve, janë partnerët amerikanë ata që po ndërmjetësojnë me ta për t’i sjellë në Shqipëri.

“Ne besojmë se presim rreth 73 veta gjithsej ku 23 janë burra, 20 gra dhe rreth 30 fëmijë. Kuptohet që bëhet fjalë për shifra referuese, nuk bëhet fjalë për një inventar fizik të qenieve njerëzore që janë atje pasi distanca dhe mundësitë juridike për të bërë këtë lloj inventari e kemi të pamundur por këto të dhëna kemi.

U ngel atyre për ta thelluar më tepër apo për të dhënë informacion qoftë në territor qoftë tek autoritetet në Siri dhe Irak ne e kemi të pamundur të kemi një raport të drejtpërdrejte me forcat që kontrollojnë kampin. Besojmë që me aq kontakte sa kemi ka një ide të qartë mbi numrin e personave, emrin e personave, vendin ku ndodhen dhe në çfarë situate janë”, tha Sojati.

Lidhur me arsyet që i kanë shtyrë vajzat dhe gratë shqiptare të ndjekin bashkëshortët e tyre Sojati thotë se çdo individ që do të riatdhesohet do të intervistohet ku do të zbulohet konkretisht edhe roli i tyre në krah të xhihadistëve shqiptarë të ISIS.
Shtuar më 14/10/2019, ora 11:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori