Vret vëllain me çifte: Doja vetëm ta trembja
Konflikti mes dy vëllezërve për pronën para shtëpisë së tyre ka shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur pasditen e djeshme në Tiranë. Sipas policisë së Tiranës, Afrim Kallari, 43 vjeç, qëlloi për vdekje vëllain e tij Ermir Kallari, 36 vjeç. Ndërsa, e plagosur lehtë në këmbë mbeti nëna e tyre, e cila u dërgua menjëherë në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Efektivë të Komisariatit Nr.5, me të mbërritur në vendin e ngjarjes bënë të mundur edhe arrestimin në flagrancë të autorit të krimit, si dhe sekuestrimin e armës së gjahut, një çifte. Të njëjtat burime sqaruan se shkak i kësaj ngjarjeje ishte një pjesë toke para banesës së dy vëllezërve, në të cilën viktima kishte dashur të ngrinte një aktivitet.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 16:25, kur në fshatin Valias të Vjetër (në dalje të Kamzës) janë dëgjuar disa të shtëna me armë. Ngjarja ka ndodhur para disa stallave të Universitetit Bujqësor të Tiranës, aty ku viktima ishte i punësuar si roje. Mësohet se dy vëllezërit jetonin në një banesë dykatëshe në fshatin e quajtur Çerek, rreth 15 minuta larg vendit të ngjarjes, transmeton GSH.

Shkak i këtij konflikti mësohet se ka qenë pikërisht një sipërfaqe toke e ndodhur para banesës së tyre që i ka marrë edhe jetën 36-vjeçarit. Pasditen e djeshme, Afrim Kallari ka shkuar në vendin ku vëllai i tij punonte dhe janë konfliktuar ashpër me njëri-tjetrin. Protagoniste e këtij konflikti ishte edhe nëna e tyre, e cila shkonte pothuajse çdo ditë në këto stalla për të kullotur bagëtitë. Pas përleshjes që dy vëllezërit kanë shkëmbyer, Afrimi, i cili kishte marrë me vete edhe armën e zjarrit të cilën e kishte me leje, ka qëlluar katër herë drejt vëllait.

Si pasojë e plagëve të marra, ky i fundit ndërroi jetën në vend, ndërsa u plagos aksidentalisht në këmbë nëna e tyre, B. Kallari. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes ka qenë edhe vjehrri i autorit të krimit, pasi edhe ky person ishte i punësuar në stallat e Universitetit Bujqësor. Policia, e cila u sinjalizua për ngjarjen nga disa banorë të zonës, arrestoi në flagrancë autorin e vrasjes, i cili nuk ishte larguar prej andej, si dhe shoqëroi në komisarit për të marrë në pyetje vjehrrin e tij. Po ashtu, për t’u pyetur rreth konfliktit që kishin dy vëllezërit, policia ka marrë në pyetje babain dhe disa të afërm të vëllezërve Kallari.

Mësohet se Afrim Kallari, i cili ishte punonjës i zjarrfikëses së kryeqytetit, në repartin e Kombinatit, kishte shkuar edhe disa herë të tjera në vendin e punës së Ermirit, por pasditja e djeshme ka çuar deri në përdorimin e armës. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi edhe katër gëzhoja. Policia ka kryer kontroll edhe në banesën e tyre, si dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të vrasjes. /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2016, ora 08:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori