Konfirmohet heqja e vizave sivjet per Maqedonine
Albeu.com
Dy ministra të jashtëm evropianë konfirmuan se Maqedonia, së bashku me Serbinë dhe Malin e Zi, pritet të përfitojnë nga liberalizimi i vizave për grupin e parë të vendeve të Ballkanit që i kanë plotësuar kushtet për këtë. Shqipëria ngelet jashtë këtij grupi shtetesh.“Vendet e para që do të merren në konsideratë janë Serbia, Maqedonia dhe sigurisht Mali i Zi. Më pas do të vijnë gjithë të tjerët. Unë besoj se brenda fundit të vitit mund të bëjmë hapa të vërtetë përpara në kuptimin e hapjes së regjimit të ri pa viza.”, vlerësoi Franco Frattini, Ministër i Jashtëm i Italisë.
Deri më tani vlerësimet vinin nga raportet konfidenciale të Komisionit Evropian, rekomandimi i të cilit pritet të bëhet i ditur nga fundi i muajit korrik. Për ecurinë e Maqedonisë dhe faktit që është vendi që ka përparuar më shumë foli edhe Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajcak.
"Maqedonia ka arritur rezultatet më të mira në përmbushjen e kushteve të caktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Maqedonia ndiqet nga afër nga dy vende të tjera të cilat janë Serbia dhe Mali i Zi. Ndërsa Bosnja dhe Shqipëria duhet të përforcojnë përpjekjet e tyre. Kjo është mënyra se si është vlerësuar progresi nga Bashkimi Evropian.”, nënvizoi ministri sllovak Miroslav Lajcak.
Njësoj si kryediplomati italian, homologu sllovak shpreson se gjithçka do të përmbyllet në fund të vitit 2009, apo maksimumi në fillim të vitit 2010.
“Unë mendoj se është shumë e mundshme. Unë mund të konfirmoj se ka një ndjenjë të fortë në gjirin e vendeve anëtare për të dëshmuar se procesi i zgjerimit ekziston dhe është i gjallë, dhe së dyti se ne i përmbahemi propozimeve dhe angazhimeve tona. Kjo do të thotë se ata vende që i kanë plotësuar kushtet do të përfitojnë liberalizimin e vizave dhe fundi i këtij viti apo fillimi i vitit tjetër përmendet si një datë e mundshme për këtë.”, shtoi Miroslav Lajcak. (Ernest Bunguri, alsat)
Shtuar më 20/06/2009, ora 02:39
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori