Komuniteti Mysliman uron shqiptarët për Kurban Bajramin
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nëpërmjet kryetarit Selim Muça uroi gjatë ditës së sotme besimtarët për festën e Kurban Bajramit. Gjatë fjalës së tij ai është shprehur se festa e Kurban Bajramit është festa e sakrificës.

"Kurban Bajrami është festa e sakrificës,e durimit dhe e varfërisë. Besimtarët të kenë më shumë begati, dashuri dhe harmoni në familje, pasi Kurban Bajrami është edhe festa e mirëkuptimit, faljes dhe bashkimit", tha Muca.

Festa e Kurban Bajramit ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, të triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës. Sipas përfaqësuesve të këtij besimi fetar, prerja e kurbaneve është një prej treguesve të afrimit tek e vërteta.

Kurban Bajrami është një ndër dy festat e besimtarëve myslimanë krahas Fitër Bajramit. Në këtë ditë bëhet kurban për hir të Zotit dhe mishi u dhurohet të varfërve.

Vlerë dhe urtësi tjetër e Kurban Bajramit është nxitja për dhurim dhe ndihmë ndaj atyre që janë në varfëri e në gjendje të rëndë ekonomike, si dhe forcimi i raporteve miqësore dhe familjare mes besimtarëve. Po kështu, Kurbani ka edhe vlerën e falënderimit të Zotit për furnizim nga dhuntitë e Tij.

Të dielën në mengjes, besimtarët myslimanë do të kryejnë ritin e faljes së Kurban Bajramit nëpër xhamitë e qyteteve të tyre./albeu.com/
Shtuar më 05/11/2011, ora 12:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori