Komuniteti Mysliman: Pranoni në shkollë nxënëset me shami
Albeu.com
Selim Muça i kërkon Ministrisë së Arsimit që të mos e konsiderojë ferexhenë propagandë fetare, por liri të besimit. Kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, ka kërkuar dje që dy vajzat me ferexhe të pranohen në shkollë. Përmes një deklarate për shtyp, komuniteti u sugjeron instancave shtetërore të zbatojnë ligjin për arsimin e detyruar dhe t‘i japin zgjidhje shkollimit të nxënëseve të shkollës "28 Nëntori". Dy ditë pas publikimit në gazetën "Shqip" të lajmit "Nuk pranohen në shkollë dy motrat me ferexhe", është sensibilizuar komuniteti i fesë së tyre. Kryesia e Komunitetit Mysliman e mbledhur dje ka dalë me një deklaratë zyrtare ku shprehet se "veshja e vajzave myslimane me shami koke nuk është simbol dhe indoktrinim fetar, por një obligim i besimit islam". Sipas tyre, e drejta e arsimit dhe e lirisë së besimit, mbështetet dhe garantohet me ligj nga Kushtetuta e Shqipërisë. Dy vajzat e familjes Hasani, Gentiana 15 vjeç dhe Marsela 12 nuk janë pranuar të hyjnë në mësim të veshura me ferexhe në shkollën ku mësonin, në Laprakë. Drejtoresha e shkollës, Lirie Ahmeti, ka deklaruar për gazetën se "nxënëset thyen rregulloren e shkollës për veshjen, e cila parashikon mbajtjen e uniformës nga të gjithë nxënësit". Ajo pretendon se ka bërë edhe punë bindëse me vajzat, por ato nuk kanë pranuar ta heqin shaminë dhe të vazhdojnë shkollën. Ky fakt është konfirmuar edhe nga Gentiana, njëra nga vajzat me shami, e cila shprehet se nuk shkel mbi besimin e saj për shkollën dhe kërkon që ta pranojnë ashtu siç është. Thirrja e saj dje ka gjetur edhe mbështetjen e Komunitetit Mysliman. Në njoftimin për shtyp ky komunitet theksoi se "duke marrë parasysh faktin se rregullorja e shkollës për uniformën nuk zbatohet, rasti i vajzave me ferexhe nuk cenon karakterin laik të arsimit publik". "Veshja nuk është propagandë, por liri e besimit dhe preferencë individuale", thuhet më tej. Komuniteti Mysliman sugjeron që "instancat shtetërore në kuadrin ligjor për arsimin 9-vjeçar të detyrueshëm t‘i japin një zgjidhje çështjes në fjalë brenda Kushtetutës, normave etike dhe rregullores së shkollës, të cilat nuk përmbajnë ndalesa të tilla". Komuniteti bën thirrje që të mos merren masa ekstreme për të privuar nxënëset nga e drejta e shkollimit.
Shtuar më 07/03/2008, ora 23:43
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori