“Komunistët shkojnë me gratë e njeri- tjetrit”, përplasja e Enverit me Jakovën (FOTO LAJM)

“Tuku terrorizoi gjysmë ore plenumin e prillit ’55!”, “Diskutimi i Tuk Jakovës ra si bombë dhe shihnim njëritjetrin…”, “Katastrofë, katastrofë!”.

Këto do të ishin disa nga reagimet e disa prej udhëheqësve komunistë pas fjalimit të famshëm të Tuk Jakovës në Plenumin XIII të KQ të Partisë, mbajtur më 25-27 prill 1955. Tuk Jakova, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, do të trondiste me deklaratën e tij se themeluesi i Partisë Komuniste nuk ishte Enver Hoxha, si trajtohet në historinë e partisë apo në muze, por Miladin Popoviçi.

Kjo është arsyeja pse për “çështjen Tuk Jakova” do të zhvilloheshin mbledhje pas mbledhjesh, autokritika pas autokritikash, do t’i drejtoheshin me qindra pyetje nga anëtarët e Byrosë Politike, me në krye Enver Hoxhën.

Këtë proces të gjatë, na e sjell përmes dokumentesh studiuesi Vasfi Baruti në librin “Ferri komunist i gjyqeve politike: Tuk Jakova-Bedri Spahiu”, një botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Sipas autorit, rasti i Tuk Jakovës “është një gjyq tipik policor i Partisë Komuniste, policore që në lindje, gjyq tejet kufirit të fundit të arsyes njerëzore.

Enver Hoxha me mjeshtëri të lartë ideoi dhe organizoi të gjyq politik, që nga platforma e “teknologjia” e realizimit është i pari e i fundit për motivimin, mizanskenat në fshehtësi me dëshmitarë, me goditje të forta, me një sistem të organizuar pyetjesh për të krijuar hutim e shastisje për të akuzuarit..”. Sipas Barutit, numërohen 874 pyetje drejtuar kryesisht Tuk Jakovës e Bedri Spahiut.

Pas kësaj ngjarjeje, Tuk Jakova do të përjashtohej nga Partia, do të internohej e më pas do të dënohej me 20 vjet burg, por do të ndahet nga jeta në rrethana misterioze në vitin 1959, pasi kishte kryer vetëm një vit burg. Në librin e tij, Baruti sjell një material të pasur arkivor, procesverbale takimesh e faksimile. Më poshtë po shkëpusim një pjesë nga pyetje-përgjigjet në një prej mbledhjeve të zhvilluara për Tuk Jakovën. I cenuar personalisht nga akuzat e Jakovës, është pikërisht Enver Hoxha, ai që bën edhe pyetjet më të shumta.

PROCESVERBAL I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, MBI ÇËSHTJEN E SHOKUT TUK JAKOVA, I FTUAR DHE BEDRI SPAHIU.

Datë 2 maj, 1955 …

Shoku Enver Hoxha: Ne këtu jemi mbledhur t’i analizojmë këto gabime dhe nuk kemi arritur në asnjë konkluzion se ti kërkon t’i fshehësh gjëra partisë. Po ne dimë se çdo veprim ka një burim. Prandaj edhe partia tonë marksisteleniniste, që të kuptohen gabimet na mëson se duhet të thellohemi, të gjenden burime, shkaqe dhe arsyet e gabimeve. Nuk mund t’i marrim të thjeshta këto çështje. Ahere, në rast se ti nuk ke gjë për t’i shtuar autokritikës, do të kërkojmë ne sqarime…

Tuk Jakova
Tuk Jakova
Shoku Tuk Jakova: Sa për çështjet që nuk më duken në rregull, edhe tani që kam bërë autokritikën, them se edhe përpara se a shtroja këtë çështje në plenum, shihja se disa nuk ishin si duhet. Së pari ishja me atë që shtrohet se organizator i partisë sonë, themeluesi i saj është shoku Enver Hoxha. Kjo gjë thuhet në dokumentet dhe leksionet e partisë. Kur e kam dëgjuar një çështje të tillë, më është dukur se në histori është e papërcaktuar.

Mua më ka bërë përshtypje se historikisht nuk është e vërtetë një gjë e tillë dhe çështja e Miladin Popoviçit, që ka mbetur në histori, është esenca që duhet thënë në dokumentet e Kongresit të Parë, ndërsa në leksionet që jepen në shkollën e partisë nuk thuhet asgjë më tepër nga sa është thënë në Kongresin e Parë. Unë e kam thënë mendimin tim, që shoku Enver Hoxha është zgjedhur sekretar në Konferencën e Labinotit dhe nuk i kisha dhënë rëndësi kësaj çështjeje.

Shoku Enver de fakto prej një kohe e ka drejtuar partinë, por unë gjatë kësaj kohe e kam marrë se nuk ka qenë sekretar i përgjithshëm. Prandaj, si i tillë, historikisht nuk mund të thuhet se është themelues i partisë. Pastaj lidhur me çështjen e Miladin Popoviçit që nuk ka dalë, për veten time më dukej sikur shokut Enver po i jepen edhe disa merita që historikisht nuk i përkasin. Këto kanë qenë pikëpamjet e mia për këtë çështje. Siç e kam thënë në autokritikë, nuk kisha shtruar çështjen se në shkollë, kur mësohet historia e partisë, duhet thënë diçka, atëherë kush është dhe me të vërtetë del pikëpamja time, që thashë që në plenum që Miladin Popoviçi është themeluesi i partisë sonë.

Shoku Enver Hoxha: Çështjen e Miladinit e kemi një çikë më poshtë, sepse kjo është një nga problemet që ke shtruar ti, por na thuaj se për cilat çështje të partisë mendon ti se nuk janë në rregull? Po çështjen e grupeve, gabimet që janë bërë lidhur me ta, siç shtrove në plenum dhe si e shtron tani, se ka kontradikta midis këtyre dy të shtruarave? Na thuaj pra, cilat janë gabimet dhe shtrembërimet që ka bërë partia për çështjen e grupimeve?

Shoku Tuk Jakova: Për çështjen e grupeve e thashë në plenum, këtë çështje me të vërtetë e ngatërrova, por nuk kam ndonjë gjë që të mendoj se është thënë tepër në dokumentet që ekzistojnë për çështjen e grupeve. Vetëm se nëpër kurset janë thënë shtrembërime kur shpjegojnë lektorët.

Mua më kishte thënë edhe Mita (bashkëshortja) se në kursin tremujor që ka bërë ajo, kur shpjegohet çështja e grupeve, mblidhen sa më shumë gjëra të këqija. Kur shpjegohet çështja e grupeve, sigurisht që baza u përmbahet materialeve të kongresit, por propagandistët bëjnë shtesa nga vetja e tyre. Këto shtesa bëhen zakonisht që të errësojnë anët pozitive të grupeve.

Një gjë e tillë kishte konstatuar edhe Ivanovi në ushtri. Në plenum unë këto gjëra kisha ndërmend kur ngrita çështjen e grupeve dhe nuk mendoja revizionimin e kësaj çështjeje, sepse atje janë thënë gjëra parimore.

Shoku Enver Hoxha: Po që ta analizojmë çështjen, na thuaj çfarë shtrembërimesh bëhen në kurse dhe në shkolla?

Shoku Tuk Jakova: Për grupet ka edhe gjëra të vërteta, si p.sh. për çështjen e vjedhjeve, hajdutllëqeve etj.

Shoku Enver Hoxha: Po këto gjëra kanë ekzistuar, apo jo?

Shoku Tuk Jakova: Po, kanë ekzistuar, po duke u thënë u jep përshtypje nxënësve se ata kanë qenë fare gangsterë. Pastaj ata nuk kanë qenë të gjithë të një kallëpi, po unë atë përshtypje kam, që nga shpjegimet që u bëhen për grupet, nxënësit nuk marrin një përshtypje tamam të drejtë. Kjo ndodh kur propagandistët largohen nga materialet, se këto materiale janë në baza të drejta.

Një tjetër çështje që me të vërtetë nuk e gjej në rregull, është në lidhje me personat dhe e kam shfaqur mendimin tim. Kur vajta në muzeum, si më përpara, ashtu edhe në rastin e dhjetëvjetorit e sidomos kur u shtrua çështja e kultit, unë kam reflektuar dhe shoh se këtu shumë gjëra përqendrohen te një person i vetëm. Kështu ndodh që muzeumi fillon me shtëpinë e partisë bosh dhe s’del njeri tjetër përveç shoku Enver me dy letra njoftime.

Pastaj Byroja e sotme politike është e shpërndarë në të gjithë muzeumin. Unë mendoj që në muzeum gjithçka historikisht të fillojë drejt, ashtu siç ka qenë.

Shoku Enver Hoxha: Këto që thua tani i çfaqe edhe në plenum, po duhet me u thellu edhe më tepër. Ja, p.sh., të të bëj një pyetje tjetër. Ke dalë i qartë nga rezolucioni i parë (ai i Miladin P. në mbledhjen themeluese, por jo ai i botuar në 1961) i grupeve kur u themelua partia?

Ka pasur atëherë pakënaqësira kur u bë rezolucioni, gjatë diskutimeve etj., veçanërisht nga ju të grupit të Shkodrës? Ti veçanërisht ke qenë i bindur nëse çështjet janë vënë drejt apo jo për të gjetur nëse kanë apo nuk kanë një origjinë këto manifestime?

Shoku Tuk Jakova: Pëshpëritje ka pasur në kohën kur ishin Qemali dhe Vasili, që thoshin se grupi i Korçës del pak më i lartë dhe, në fakt, edhe sot bëhet ky diferencim. Por këto pëshpëritje nuk kanë qenë të tilla që ne të na ftonin, vetëm se për grupet e tjera na janë dukur se janë rënduar shumë.

Shoku Enver Hoxha: Po tani nga këto pozita, si e gjykon ti këtë situatë dhe këto pëshpëritje?

Shoku Tuk Jakova: Tani situata është shumë e qartë, se në atë kohë është bërë njëfarë pune që pa shkelur parimet pozitive, të mos acaroheshin kontradiktat mes grupeve. Po të shohish hollë-hollë çështjen, janë bërë shumë lëshime, jo në dëm të parimeve që mund të thuheshin edhe më tepër nga sa janë thënë. Pastaj çështjet e dorës së dytë, sidomos nga grupi i Shkodrës dhe i të Rinjve janë pasur për t’u thënë edhe disa gjëra të tjera.

Shoku Enver Hoxha: Mos vallë ka mbetur te ty ndonjë moskuptim që në atë kohë dhe tani në rastin e këtyre gjërave që konstatohen dalin, sepse për grupet edhe vjedhjet, edhe grabitjet, edhe anët e tjera negative të grupeve janë thënë, por grupet kanë edhe anët e tyre pozitive, se ka pat partia njerëz nga të grupeve që kanë qenë konseguentë në rrugën e partisë etj.

Edhe ne të grupit të Korçës kemi pasur moskënaqësi që nuk vihen drejt çështjet e drejta parimore të grupit tonë dhe nuk vihen sa duhet në dukje anët negative të grupit të Shkodrës dhe të të Rinjve, dhe është arritur në konkluzionin që thua ti që janë bërë lëshime nga të dy anët dhe më së fundi u pranua rezolucioni dhe ecëm përpara. Po çështja që ngrite ti është aq e Î thjeshtë sa na thua apo është ndonjë gjë tjetër bazë e mosk- ënaqësive të tua, se me ato që ngrite ti u habit gjithë plenumi.

Shoku Tuk Jakova: Me gjithë gabimet që kam bërë, këtë çështje nuk e kam të turbullt. Vetëm në këtë drejtim mua më kanë bërë përshtypje shtesa e shtrembërimeve se në fund të fundit po grupet me gjithë gabimet që kanë pasur ato kanë qenë baza e partisë.

Shoku Enver Hoxha: Po i kanë mohuar propagandistët tonë anët pozitive të grupeve në kurse dhe nëpër konferenca?

Shoku Tuk Jakova: Ato nuk ka si të mohohen se janë dokumentet që flasin, po në shpjegimet që bëjnë propagandistët, duke kujtuar se bëjnë një punë të mirë, shtojnë edhe prej vetes së tyre. Prandaj nuk duhet t’u errësohet çështja e grupeve anëtarëve të rinj të partisë se do ta kuptojnë shtrembër punën e tyre.

Shoku Mehmet Shehu: Na thuaj konkretisht shembuj për këtë që thua.

Shoku Tuk Jakova: Po ja, thonë që grupet kanë bërë këtë ose atë punë, flinin me gratë e njëri-tjetrit etj., gjëra që edhe kanë qenë.

Shoku Enver Hoxha: Po a nuk lufton partia tonë kundër mbeturinave mikroborgjeze në ndërgjegjen e njerëzve dhe janë këto gjëra në grupet apo jo? A nuk bën sot partia një luftë të ashpër kundër vjedhjeve, imoralitetit, banditizmit? Partia këto dobësi të grupeve duhet t’i shpjegojë edhe nga ana parimore që nga origjina, apo t’i lëmë të flenë këto, mos t’i vëmë në dukje dhe të themi se grupet kanë qenë të pastra. Këto nuk janë çështje historike, ngjajtin dhe mbaruan. Partia po lufton dhe do të luftojë vazhdimisht kundër këtyre mbeturinave.

Shoku Tuk Jakova: Është e vërtetë se me këto gjëra nuk luftojmë përditë, po komunistët e rinj kujtojnë se të gjithë anëtarët e grupeve kanë vepruar kështu, dua të them se jepet kjo përshtypje. Sigurisht ka pasur njerëz në grupe që kanë bërë gjëra të tilla, po shumë nga ata kanë qenë edhe persona vagabondë…/Panorama/
Shtuar më 05/03/2017, ora 09:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori