24 pacientë të tjerë fitojnë betejën, si paraqitet situata e të infektuarëve në dy spitalet COVID

Ndërkohë që numri i të infektuarëve shkoi sot në 766, lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit, 24 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve.

Shkon në total në 455 numri i personave që fituan betejën me pandeminë.

Nga 281 pacientët aktivë me COVID19 në vendin tonë vetëm 10 % po trajtohen në dy spitalet COVID ndërsa rreth 90% e tyre janë në vetëizolim me simptoma të lehta ose janë pa simptoma dhe monitorohen në mënyrën sistematike nga mjeku i familjes.

Ministria sqaron se në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.

Në totalin e të shtruarve në spitalin infektiv, ndodhen edhe 3 raste të importuara COVID19, ushtarë shqiptarë të KFOR të ardhur nga Kosova.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 33 pacientë.


Shtuar 29.04.2020 09:33