Kompromisi – mesazhi amerikan për shqiptarët dhe serbët
Pëlqej
Albeu.com
Kompromisi për shqiptarët është garantimi i të drejtave të pakicave, sidomos pakicës serbe. Për Serbinë mesazhi i kompromisit është pranimi edhe de jure i humbjes së sovranitetit mbi Kosovën.Derisa deklarata për Kosovën javën që shkoi e nënsekretarit për Çështje Politike në Departmentin e Shtetit, Nicholas Burns, nxiti reagime të shtypit dhe politikës serbe, një dush tjetër i ftohtë ishte kur ajo u konfirmua edhe nga ambasadori Amerikan në Beograd, i cili tha se “nuk kishte kundërthënie me deklarimin e nënsekretarit Bërns dhe qëndrimit amerikan për Kosovën”. Washingtoni zyrtar sikur është kursyer nga një inflacion fjalësh përsëritëse për statusin e Kosovës, duke ua lënë këtë më tepër organizatave joqeveritare dhe instituteve me ndikim në politikën amerikane të cilat tash dy-tri vjet me plotë argumente kanë rekomanduar si zgjidhje pavarësinë e Kosovës. Sa herë që bisedohet me zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës, ata me shumë fjalë do të aludojnë në mëvetësinë dhe shtetësinë, qoftë kur flasin për integrimet e Kosovës në institucionet evropiane dhe në ato transatlantike, ashtu edhe për potencialet njerëzore dhe perspektivën e një ekonomie të vetëqëndrueshme. Kërkesa aq shumë e përsëritur amerikane, ka qenë kompromisi. Dhe cili është ky kompromis që del si mesazh nga zyrat e Departmentit të Shtetit: kompromisi nuk ka të bëj me ndarje territoriale brenda Kosovës, as me status special të vendbanimeve serbe, sepse do të krijohej precedencë për vendet fqinje me Kosovën që kanë popullsi shqiptare, por kompromisi për kosovarët duhet të nënkuptojë krijimin e një klime kthimi, garantimin ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave të serbëve si pakicë në Kosovë. Kompromisi për Serbinë do të thotë legjitimim i humbjes edhe de jure të sovranitetit mbi Kosovën dhe si kundërshpërblim hyrjen e përshpejtuar e saj në institucionet euro-atlantike bashkë me vendet e tjera balllkanike, përfshi edhe Kosovën si shtetin më të ri. Dhe në një kohë kur dallimet shqiptaro-serbe duken të pakapërcyeshme dhe pëshpëritet për një bllokadë të mundshme të negociatave, hapi tjetër që do të pasojë do të jetë imponimi i zgjidhjes me një rezolutë njohëse nga Këshilli i Sigurimit, dhe, nëse edhe kjo nuk kalon, atëherë sugjerohet njohja nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duke jetësuar atë që tash një kohë të gjatë edhe është zyrtarizuar – status që respekton vullnetin politik të popullit shumicë të Kosovës. rtk
Shtuar më 14/04/2006, ora 11:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori