Kompania e sigurimit nuk ju paguan dëmshpërblimin? Kjo është zgjidhja për të marrë paratë 100%
Pëlqej
Të humbësh jetën apo të pësosh dëmë fizike dhe psikologjike nga një aksident automobilistik në Shqipëri është njëra anë e medaljes, ndërsa tjetra lidhet me kalvarin që duhet të kalosh deri në marrjen e dëmshpërblimit nga kompanitë e sigurimit nëse ke arritur të bindesh autoritetet që je i pafajshëm.

Edhe pse përballen në mënyrë të vazhdueshme me probleme që kanë të bëjnë me mos pagesa të dëmëve të pësuara gjatë aksidentit edhe pse kanë qenë të siguruar, janë të paktë ata qytetarë që i shkojnë problemit të tyre deri në fund, ndërsa shumica mjaftohen me një të sharë ndër dhëmbë apo maksimumi një denoncim të kompanisë së sigurimit që nuk paguan në profilin e tyre në Facebook.

Por si i shkohet këtij problemi deri në fund?

Albeu.com ka ndjekur për disa javë këtë problematikë duke u interesuar pranë kompanive të sigurimit si edhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duke hasur në mjaft raste ankesash nga qytetarët që nuk dëmshpërblehen.

Nga këto raste, Albeu.com ka zgjedhur të bëjë publike vetëm dy të tillë, të cilët kanë arritur të marrin dëmshpërblimin vetëm pasi janë ankuar pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili është organi përgjegjës për kontrollin e aktivitetit të kompanive të sigurimit.

Në rastin e parë të konstatuar, kemi të bëjmë me një qytetar me inicialet A.K, i cili ka pësuar një aksident në fillim të muajit tetor.

Pasi nuk ka marrë dëmshpërblimin e pretenduar nga kompania ku kishte prerë policën e sigurimit, A.K i drejtohet me një e-mail Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duke i shpjeguar problematikën që kishte.

Përballë kësaj situate tepër flagrante nga kompania e sigurimit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kontaktuar me të duke i kërkuar të zgjidhë situatën e krijuar. Fill pas kësaj kërkese, qytetari i dëmtuar është dëmshpërblyer 100% për dëmin e pësuar nga kompania e sigurimit brenda 11 ditëve të paraqitjes së kërkesës.

Rasti tjetër i ngjashëm ka të bëjë me një përdorues makine, i cili ka pësuar aksident në fund të muajit tetor.

Pasi tentoi që të përfitonte dëmshpërblim nga kompania, qytetar me inicialet A.A kontakton me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare duke u parashtruar problematikën në fjalë.

Fill pas marrjes së ankesës, AMF kontakton me kompaninë e sigurimit dhe qytetari merr dëmshpërblimin brenda pak ditësh.

Albeu.com është në dijeni të mjaft rasteve të ngjashme ku qytetarë të ndryshëm nuk përfitojnë dëmshpërblimin pavarësisht se e kanë policën e sigurimit. Kjo ndodh edhe për faktin se shumë prej tyre nuk kanë gjetur "derën e duhur" për të trokitur.

AMF është duke i dhënë sëfundmi mjaft prioritet ankesave të qytetarëve për rastet kur nuk kanë përfituar dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit.

Dy rastet e mësipërme vlejnë si një shembull i mirë që për situata të ngjashme, qytetarët t'i drejtohen këtij institucioni. /albeu.com/

Shtuar më 23/11/2017, ora 16:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori