VV: Protestat po bëhen të pashmangshme

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët të Kryesisë me Grupin e saj Parlamentar.

Sipas njoftimit, aty u diskutua situata politike në Kosovë, sidomos zhvillimet e fundit, transmeton Klan Kosova.

”U kritikua ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që e vulosi këtë Gjykatë si të kapur, madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi. Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë Aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm”.

”U vlerësua mbështetja e madhe e qytetarëve, puna e mirë e Qeverisë në detyrë, dhe organizimi nga aktivistët i peticionit “Duam Zgjedhje!”. Duket qartë se ky peticion do t’i thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës”, theksohet më tej në njoftim.

Vetëvendosje në këtë mbledhje thotë se u kundërshtua edhe tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja, transemton Klan Kosova.

”U kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër. Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë”.

”Protestat po bëhen të pashmangshme”.

”Megjithatë, LVV nuk do të organizojë protestë nesër. Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”.


Shtuar 2.06.2020 19:32