Komiisoni per rastin e Sopotit: Kishte shkelje te drejtave te njeriut
Albeu.com
Komisioni parlamentar që mori për shqyrtim rastin e Sopotit, vërtetoi shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Me 8 vota pro dhe asnjë kundër, anëtarët e këtij komisioni miratuan konkluzionet e raportit 200 faqesh të grupit të punës për rastin e Sopotit.
“Konstatimet e komisionit të përhershëm anketues për liritë e të drejtat e qytetarit si dhe materialet e grumbulluara nga ana e të gjitha institucioneve kompetente të RM-së, do t’iu shërbejnë organeve kompetente të RM-së si dhe të gjithë personave të interesuar dhe të prekur për ndërmarrjen eventuale të masave ligjore në drejtim të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të RM-së”, deklaroi Safet Neziri – anëtar i Komisionit anketues.
Anëtari i grupit të punës nga radhët e VMRO-DPMNE-së Cvetko Grozdanov tha se me miratimin e këtyre konkluzioneve ka fakte dhe momente të reja të cilët mund të ndikojnë në përsëritjen e procedurës gjyqësore.
“Mendojmë se ka shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe për atë do të vërtetojë gjyqi, në një procedurë gjyqësore ashtu siç institucionet dinë të bëjnë, a është në të drejtë grupi i punës për rastin e Sopotit, ose mendojnë se ato fakte ishin në procedurë gjyqësore të parashikuara ose të shikuara, ndërsa ne mendojmë se janë fakte dhe momente të reja dhe do të mund të ndikojnë në përsëritjen e rastit të Sopotit”, theksoi Cvetko Grozdanov – anëtar i grupit të punës.
Propozuesi i kërkesës për formimin e grupit parlamentar, Abedin Zymberi nga DR-ja opozitare, përshëndeti miratimin e konkluzioneve.
“Si propozues i kësaj kërkese për lirimin e të burgosurve të Sopotit shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë anëtarët e komisionit që dhanë kontributin e tyre që ky propozim i yni sose kjo kërkesë jona si opozitë, arriti të jetë e suksesshme dhe përfundimisht pikat e shkeljes së drejtave të njeriut që dolën nga kjo konkluzë besoj që edhe në procedurat e mëtejshme, gjyqi do t’i ndërmerr hapat e nevojshme për lirimin e këtyre qytetarëve”, u shpreh Abedin Zymberi – anëtar i grupit të punës.
Avokati mbrojtës i të akuzuarve për rastin e Sopotit, Vullnet Paçuku, vlerëson se me miratimin e këtyre konkluzioneve hapen dyert për përsëritjen e procedurës gjyqësore.
“Konkluzionet e komisionit anketues do të jenë si bazë që të dënuarit Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi dhe Shaban Limani të kërkojnë përsëritje të procedurës në bazë të nenit 418 paragrafi 1 pika 5 ku parashikohet në bazë të ligjit për procedurën penale që të mund të kërkohet përsëritja e procedurës në bazë të fakteve të reja. Ndërsa për rastin që është në gjykatë të apelit për 7 të akuzuarit e tjerë, ne si avokatë mbrojtës do të kemi të drejtën që këto prova t’i prezantojmë para gjykatës së Apelit dhe gjykata e apelit e ka për detyrë që këto prova t’i marrë parasysh dhe jam i bindur se edhe një herë do të dëshmojmë pafajësinë e të gjithë të akuzuarve”, tha Vullnet Paçuku – avokat i të dënuarve.
Paçuku thotë se vendimin për kthimin ose jo të procedurës, do t’a marrë gjykata e shkallës së parë. Është hera e parë që një komision parlamentar të çojë deri në fund një shqyrtim të kësaj natyre. Për rastin e shpërthimit të minës në Sopot në vitin 2003, ku u vranë dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil, janë dënuar 11 banorë të këtij fshati, me gjithsej 156 vjet burg. (alsat-m)
Shtuar më 20/02/2010, ora 02:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori