KOMENT/ Zile alarmi për Ilir Metën
Nga Albeu.com
Pasi nuk ja dolën që t’i imponohen klasës politike shqiptare nëpërmjet forcës dhe paralajmërimeve për mbetje hatri në seli të rendësishme diplomatike dhe ngecjes së proceseve integruese të vendit në BE, ambasadorët duket se kanë filluar të luajnë një kartë tjetër, atë të uljes së palëve në negociata të drejtpërdrejta me ndërmjetësimin e tyre.

Kjo është ajo që duket të paktën nga deklaratat e dy ditëve të fundit të kreut të maxhorancës Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Të dy ata kanë folur për negociata mes palëve për Reformën në Drejtësi duke qenë në dukje të hapur në këtë pikë.

Fillimisht ishte Rama ai që i zgjati dorën e dialogut të djathtëve . “Nëse bëhet një ftesë për dialog, besoj që ftesa duhet të jetë e hapur, pa kushte, pa kufi duke i dhënë të drejtën palës që fton që të ngrejë çështje që konsideron më të rëndësishme. Prandaj ftesa mbetet e hapur, koha vrapon, prandaj nëse duam së bashku të çelim dyert e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, - tha ai nëpërmjet ekranit të Top Channel.

Nuk zgjati as 24 orë dhe Basha i përgjigjet në dukje pozitivisht Ramës sërish nëpërmjet këtij ekrani.

“Nëse maxhoranca ka vullnet që të bëjë atë që i kërkon Venecia, atë që i kërkon faktori ndërkombëtar, dialog mes palëve për të zgjidhur këto çështje të fundit që kanë mbetur pa zgjidhur, atëherë janë të mirësepritur në një dialog politik të një format, që ta zgjedhin vetë. Çdo format që kundërshtari të ndjehet komod, me kusht që dialogu të jetë pa kushte, - tha ai.

Referuar deklaratave të mësipërme Rama dhe Basha janë dakord në parim, ç’ka do të shtynte ndërkombëtarët si negociatorë që të hidhnin edhe një hap më tej duke synuar uljen e tyre përballë njeri-tjetrit.

Por, në gjithë këtë skemë, ai që mungon është Ilir Meta.

Nëse Rama dhe Basha do të ulen bashkë dhe do të bien dakord që të kalojnë një draft të përbashkët të reformës, Ilir Meta, të paktën për çështjen në fjalë bëhet i panevojshëm për Ramën. Aq më tepër, tani që Meta e ka rritur shumë pazarin e dakordësisë për Reformën në Drejtësi.

Me uljen në tavolinë me Ramën, Basha duket se synon të japë reformën, të cilët me shumë gjasë nuk do të mundte ta bllokonte edhe për shumë kohë duke marrë nga Rama hapjen e diskutimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, e cila gjithashtu do të jetë një sfidë e madhe politike duke vënë në lojë mjaft balanca të tjera mes partive kryesore në vend.

I pari që do të alarmohej sërish në këtë rast është Ilir Meta, i cili nuk e ka harruar ende marrëveshjen e prillit 2008 mes Ramës dhe Berishës duke miratur Kodin Zgjedhor aktual, i cili për pak e nxorri atë nga skena politike.

Do të jetë tepër interesante të shihet se cili do të jetë reagimi i Metës në rast të një takimi Rama-Meta, ku përveç Reformës në Drejtësi me siguri do të diskutohen edhe mjaft çështje të tjera. /Albeu.com/
Shtuar më 26/05/2016, ora 23:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori