KOMENT/ Video e Lamajt, për turpin e atyre që nuk vendosën drejtësi
Videoja e ekzekutimit të kryekomisarit Dritan Lamaj po bën xhiron e internetit duke nxitur kureshtjen e internautëve. Pamjet e ekzekutimit u publikuan nga emisioni “Xhungël” i gazetarit Artan Hoxha pak ditë pasi gjykata dha vendimin për shpalljen të pafajshëm të të akuzuarit kryesor të kësaj ngjarjeje, Arben Frroku.

Vendimi i gjykatës ishte 5 me 0 duke dhënë kështu të kuptohet se trupa gjykuese ishte e gjitha e bindur në pafajësinë e të akuzuarit.

Ka prej tyre që kundërshtojnë publikimin e këtyre pamjeve të rënda duke marrë parasysh dhimbjen që i shkaktohet familjarëve duke i detyruar të shohin se si ka qenë fundi i të dashurit të tyre. Sigurisht që kanë të drejtë në pretendimin e tyre, pasi familjarëve të të ndjerit Lamaj i mjafton dhimbja që kanë dhe do të ishte e tepërt që publikimi i pamjeve t’ua rëndonte edhe më tej situatën.

Patjetër që pamje të tilla janë shumë të rënda.

Ppr, publikimi i tyre masivisht nga media është një akuzë e hapur ndaj sistemit të drejtësisë të këtij vendi. Është një akuzë ndaj prokurorisë dhe trupit gjykues së kësaj vrasjeje.

Kjo është një akuzë për prokurorinë që nuk arriti të kryejë hetime të mjaftueshme për të rrasur pas hekurave vrasësin e Lamajt, qoftë ky i dyshuari kryesor Arben Frroku i shpallur i pafajshëm me vendim gjykate apo qoftë dikush tjetër që ka humbur gjurmët tashmë.

Videoja e ekzekutimit të Dëshmorit të Atdheut kryekomisar Dritan Lamaj është një akuzë e hapur ndaj kësaj kaste politike dhe kësaj shoqërie që nuk ka arritur të ngrejë figurën e policit të paprekshëm dhe nëse kjo ndodh, vrasësi dënohet rendë.

Pamjet e Lamajt teksa merr frymë për herë të fundit janë një akuzë e rendë për të gjithë ata që patën dhe kanë në dorë vendosjen e drejtësisë dhe me veprimet apo mosveprimet e tyre janë bëre pengesë për këtë gjë.

Gjithashtu, pamjet e vrasjes së Lamajt janë një akuzë për të gjithë ne si shoqëri që nuk arritëm t’i bëjmë presion aq sa duhet këtij sistemi të kalbur drejtësie që të paktën të dënoheshin vrasësit e tij. /albeu.com/
Shtuar më 07/04/2015, ora 21:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori