KOMENT/ Veteranët edhe pse nuk janë si ju të pasur, e duan Amerikën
Pëlqej
Kur dëgjon fjalën veteran në Kosovë menjëherë të vjen në mend një veteran i luftës që ka luftuar me ndershmëri dhe trimëri për lirinë e Kosovës por gjëja e dytë që të vjen në mend është një veteran i braktisur nga shteti dhe që po vuan për bukën e gojës.

Dhe e vërtetë është pasi dihet se shumë veteranë vuajnë për bukën e gojës dhe shpesh herë dalin në protesta për të kërkuar atë pension të pakët që shteti ua ka siguruar.

E megjithatë është edhe një pakicë e veteranëve që edhe pse kanë luftuar janë të ndryshëm nga këta veteranë pasi sic thotë një shprehje popullore janë të krimbur në para.

E sipas gazetës Bota Sot, kështu doli të jetë edhe nënkryetari i OVL-UÇK-së Nasim Haradinaj. Haradinaj sipas formularit të pasurisë ka përafërisisht 5 milionë euro vetjake dhe të përbashkët. Madje ai përveç punës si nënkryetar mban edhe një punë tjetër në Komunën e Decanit. E si çdo drejtues shqiptar edhe Nasim Haradinajt nuk i mungon vetura e cila i kushton 11 mijë euro.

Pra, kemi një situatë tipike shqiptare, drejtues të pasur që kërkojnë të drejta për qytetarët e thjesht të cilët nuk kanë para as për bukën e gojës.

E,Nasim Haradinajt nuk i mjafton vetëm pasuria por tashmë ka filluar të bëhet pjesë edhe e politikave shtetërore për të ``mbrojtur`` veteranët e UCK-së. Ai para pak ditësh ofendoi Ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie në mënyrën më të keqe. Nasimi tha se Delawie është sjellë si palaço dhe se ka thyer rregullat si diplomat. Madje, Nasimi e preku edhe më fort ambasadorin duke i përmendur edhe Guantemanon e cila është njolla e zezë në SHBA dhe Barak Obama bëri përpjekje deri sa e mbylli.

Por, Haradinaj harron ose bën sikur harron diçka të rëndësishme se vetë deputetët e Kosovës e ratifikuan Gjykatën Speciale me mbështetjen e Hashim Thaçit. Edhe pse kjo Gjykatë është e padrejtë në atë kohë askush nuk doli e ta ndalonte Thaçin sic nuk e ndaluan as kur firmosi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Eee tashmë është vonë t'i shfuqizoni.

E megjithatë unë mendoj se veteranët nuk janë si Nasim Haradinaj, kundër Amerikës. Veteranët janë luftëtarë të lirisë dhe pro Amerikës dhe fatkeqësisht nuk janë të pasur. Prandaj as Nasim Haradinaj e askush tjetër nuk e prish këtë imazh.-Ervin Shkulaku/albeu.com/





Shtuar më 21/01/2018, ora 09:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori