KOMENT/ Testi i drogës, një shkak për ngecjen e “dekriminalizimit”
Koment nga Albeu.com
Politika shqiptarë duket se ka rënë dakord për miratimin e klauzolave ligjore që do të mundësojnë largimin e elementëve të inkriminuar nga radhët e saj, ndërsa mbeten disa çështje periferike në dukje, të cilat e kërcënojnë këtë proces.

Kjo çështje është futur në kalendarin e punimeve trejavore të Kuvendit, ndërsa sot Taulant Balla, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë dhënë qendrimet e partive të tyre në lidhje me procesin. Socialisti shprehet i bindur se projektligji i miratuar nga qeveria si edhe propozimi i opozitës kanë shumë pika të njëjta dhe se duhet që të diskutojnë me demokratët për të arritur në një draft të përbashkët.

Petrit Vasili i LSI-së ndërkohë, deputetët e së cilës nuk i janë bashkuar propozimit të socialistëve për projektligjin e dekriminalizimit ka kërkuar konsensusin e palëve duke kërkuar me ngulm që në rast mosmarrëveshjeje të ishte Komisioni i Venecias ai që do të jepte mendimin final. Duhet theksuar se Komisioni i Venecias funksionon me mekanizma tepër të ngadalta dhe se shqyrtimi i një çështjeje të caktuar mund të kërkojë disa muaj kohë.

Njëlloj si Balla, Bylykbashi shprehu besimin se do të mund të arrihej në një projektligj të përbashkët duke vendosur ndërkohë një kusht të panegociueshëm me të majtët: Kyerjen e testit të përdorimit të drogës për politikanët që do të jenë objekt i ligjit.

Edhe pse janë shprehur pro këtij procesi, të paktën LSI dhe PD kanë në kërkesat e tyre dy pika, të cilat mund ta minojnë atë. Pranimi i propozimit të LSI-së për të dërguar në Komisionin e Venecias çdo pikë ku palët nuk do të merren vesh do të zgjaste pafund procesin në fjalë duke njohur edhe praktikat siç punon ky komision. Në këtë mënyrë, shtyrja në kohë e procesit do të zbehte edhe qëllimin e tij.

Ndërkohë, ngërç më të madh pritet të shkaktojë kushti i demokratëve për të bërë testin e përdorimit të drogës për politikanët. Ka mjaft akuza për politikanë të rendësishëm në vend për përdorim të lendëve narkotike, të cilët do të sikletoseshin nga futja e një pike të tillë në ligj.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto janë qendrimet e fundit të palëve apo janë deklarata publike në kuadër të negociatave të tyre larg syrit të publikut. /albeu.com/
Shtuar më 23/09/2015, ora 15:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori