KOMENT/ Të përdorësh Bashën si "furçë makiazhi"
Nga Albeu.com
Ilir Meta i ka dhënë një detyrë të re vetës gjatë mesditës së sotme pas kthimit nga udhëtimi i dytë brenda pak muajsh në SHBA. Është detyra e promovuesit të Reformës në Drejtësi. Ishte një “titull” që deri më tani e ka mbajtur Rama, por që tashmë kur është thuajse e sigurt që reforma do të kalojë, i duhet edhe Metës.

Në një levizje të çuditshme për sa i përket pozicionit të tij në koalicionin qeverisës dhe duke u kujdesur shumë që kjo kërkesë të lexohet si e dërguar prej kreut të Kuvendit dhe jo kreut të LSI-së, Ilir Meta i ka dërguar një letër sot kryedemokratit Lulzim Basha duke e ftuar për një takim kokë më kokë për të diskutuar mbi Reformën në Drejtësi.

Meta është kujdesur që teksti të kuptojë se ai është i interesuar të diskutojë me Bashën modalitetet për kalimin e kësaj reforme në seancë plenare duke mos dashur të lexohet se ai po dublon Ramën në misionin e tij për të bindur Bashën që të ofrojë konsensusin për reformën.

Por, a mundet që tavolina Meta-Basha të nxjerrë një marrëveshje për Reformën në Drejtësi duke mos qenë edhe Rama aty?
Ka pak gjasa, dhe nisur nga kjo, Meta kërkon të arrijë disa objektiva të tjerë duke përdorur Bashën.

Nëpërmjet kësaj kërkese, në radhë të parë Meta kërkon t’i japë një mesazh ndërkombëtarëve se ai është shumë i interesuar që reforma të kalojë duke hedhur poshtë përshtypjen se ai ishte një ndër penguesit e saj deri më tani.

Tashmë është e sigurt që reforma do të kalojë me ose pa dëshirën e Bashës dhe Berishës prandaj edhe Meta nuk dëshiron të mbesë në vagonin e tyre duke shprehur publikisht gatishmërinë për mbështetje ndaj saj.

Nga ana tjetër, kjo duket si një ftesë për të diskutuar teknikalitetet por në të vërtetë ajo kërkon të dublojë takimin Rama-Basha duke hapur një front të ri negociatash, të cilat në vetvete vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Në këtë mënyrë, Meta kërkon të thojë se nuk është vetëm Rama ai që bën “luftën” dhe “paqen” brenda koalicionit, por edhe ai është një factor stabiliteti në politikën shqiptare.

Tani kur kanë mbetur edhe pak javë deri në miratimin e marrëveshjes me këtë kërkesë për takim me Bashën, Meta kërkon t’i hipë trenit të promotorëve të Reformës në Drejtësi duke tentuar të heqë nga vetja perceptimin e deritanishëm se ai e ka minuar reformën nëpërmjet formave të ndryshme të presionit ndaj Partisë Socialiste.

Basha është pikërisht “bileta” e vetme dhe e fundit për të hipur në këtë “tren” duke e ditur se arritja e një marrëveshjeje Meta-Basha, në vetvete është nul për aq kohë sa nuk është Rama në tavolinë si kryeministri dhe kreu i maxhorancës. /Albeu.com/
Shtuar më 10/06/2016, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori