KOMENT/ Sërish me "të fortët"?!
Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit përforcuan bindjen se një kandidat kandidat “i fortë” mund të marrë mandat edhe në zonat më të vështira duke thyer në shumë raste edhe bastione të partive të medha.

Zhvillimet më të fundit në skenën politike, ku janë shfaqur pakënaqësi të theksuara mes partive të mëdha si PS dhe PD dhe aleatëve të vegjël, po krijojnë mundësitë që këto të fundit të dalin në zgjedhje të vetme ose në koalicione më të vogla.

Por, ndryshe nga të mëdhatë, partitë e vogla nuk do të mund të bazohen tek pesha e elektoratit që i mbështet, por tek kandidatët e tyre.

Përballë të mëdhave, partitë që nuk do të hyjnë në koalicione por edhe ato që do të marrin zona të lira nga koalicioni në bastione kundërshtare do të detyrohen të zgjedhin kandidatë “të fortë” në mënyrë që të rrisin shancet për të fituar.

Një ndër karakteristika bazë të të ashtuquajturëve kandidatë “të fortë” është se votat nuk i marrin nga partia, por ata i japin më shumë vota asaj për shkak të figurës dhe organizimit që bëjnë në bazë.

Administrimi i zgjedhjeve nga të tillë kandidatë dhe njerëzit që i shoqërojnë ata bëhet nën një situatë gjysmë-terrori ndaj kundërshtarëve dhe elektoratit aq sa ndonjëherë është tepër të thuash se bëhet fjalë për zgjedhje të lira.

Eksperienca e zgjedhjeve të kaluara ka treguar se kandidatë të tillë vijnë kryesisht nga bota e biznesit, por që para se t’i hynin kësaj bote kanë qenë pas marrë edhe më aktivitete të tjera të paligjshme.

Zgjedhjet e 23 qershorit janë tregues më i drejtpërdrejtë i këtij fenomeni. Mediat raportojnë se një numër jo i vogël deputetësh të dalë nga zona të vështira për partitë që ata përfaqësojnë janë persona që kanë pasur probleme me ligjin para se t’i futeshin politikës.

Nëse tensioni mes partive të mëdha dhe aleatëve të tyre nuk ulet dhe ato të dalin sëbashku në zgjedhje, ndoshta pas 21 qershorit dhe pas dekriminalizimit të Kuvendit (nëse do të bëhet ndonjëherë) do të na duhet të fillojmë një dekriminalizim të pushtetit lokal.

Por, ndryshe nga deputetët që mund të hapin rrugën me ndonjë kallëzim penal, kandidatët e “fortë” mund të shkulen vetëm duke marrë parasysh pasoja të mëdha politike në zonat përkatëse. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2015, ora 09:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori