KOMENT/ Përgjuesi, një “pehlivanllëk” që po i kushton shumë Ramës dhe Tahirit
Nga Albeu.com
Futja në territorin e vendit të një pajisjeje përgjuesë të aparateve celulare pa leje të prokurorisë dhe administrimi i saj nga Policia e Shtetit mund të ketë qenë një veprim i planifikuar keq apo një plan djallëzor që nuk u realizua, por duket se kjo ka për t’i kushtuar jo pak Partisë Socialiste dhe pjesës së saj të qeverisë.

Që prej fillimit të hetimeve për këtë pajisje, nga deklaratat publike të Berishës, Bashës dhe Metës është vërejtur se ata janë ndjerë të kërcënuar nga prania e saj duke supozuar se objekt i përgjimit mund të ishin edhe ata. Nisur nga ky fakt, por edhe për shkak të klimës mjaft të tensionuar politike në vend, çështja e kësaj pajisjeje përgjime po përdoret politikisht nga kundërshtarët e Ramës në skenën politike shqiptare. Këtu përfshihet edhe vetë Ilir Meta, ku nëpërmjet Ylli Manjanit kanë dhënë mbështetje publike për vijimin e hetimeve dhe cilësimin e vendimit të djeshëm të gjykatës për pezullimin e Haki Çakos si një proces të mirëfilltë ligjor.

Për shkak të skandalit që shkaktoi kjo pajisje përgjuesë, Rama, Tahiri por edhe vetë PS-ja si drejtuese e koalicionit të majtë qeverisës po sulmohet në disa fronte duke bërë që kundërshtarët e tyre të nxjerrin jo pak përfitime politike nga situata e krijuar.
Nëpërmjet këtij skandali dhe futjes së tij në hulli ligjore ku janë angazhuar prokuroria dhe gjykatat, Ramës dhe PS-së po i bëhet presion direkt për të shumë debatuarën Reformë në Drejtësi duke tentuar ndoshta që ta bëjnë atë të pranojë një variant sa më pranë kërkesave të tyre.

Gjithashtu, ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj ministrit më të rendësishëm të Ramës, Saimir Tahirit. Duke dobësuar Tahirin, Meta dobëson njëkohësisht Ramën por edhe shpëton nga një ministër i Brendshëm, i cili nuk ka qenë edhe aq shumë dashamirës ndaj LSI-së. Kujtojmë se krahas Çakos dhe vartësve të tij, edhe vetë Tahiri është pjesë e hetimit për pajisjen në fjalë.
Tashmë PS-së i është hapur një front tjetër: Ai ndaj gjykatës dhe prokurorisë.

Ky episod e ka bërë PS-në, ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin që për herë të parë që prej marrjes së pushtetit të përdorin një diskurs agresiv ndaj organeve të drejtësisë dhe prokurorisë të ngjashme me atë të Berishës kur sulmonte Ina Ramën për puç. Deklarata e djeshme e Tahirit ku e quante gjyqtarin Arjan Aliaj që mori vendimin për pezullimin e Çakos si lirues përdhunuesish dhe trafikantësh armësh dhe akuzat e sotme të Ramës ndaj tij hapin një faqe të re të marrëdhënies së kësaj maxhorance me sistemin e drejtësisë.

Më shumë se sa gjyqtarin, ky diskurs dëmton Ramën, Tahirin dhe PS-në duke vendosur një shenjë barazie me Berishën në raportin që ai kishte me gjykatat dhe prokurorinë, shenjë barazie të cilën Rama e ka shumë zët.

Edhe në qoftë se në fund të të gjithë hetimit zbulohet se as Çako, as vartësit e tij dhe as Tahiri nuk kanë kryer shkelje ligjore, mjafton fakti që Rama u detyrua të bjerë në nivelin e Berishës duke sulmuar direkt gjykatat dhe prokurorinë për të thënë se i gjithë ky “pehlivanllëk” me atë aparat përgjimi po shkakton kosto të parekuperueshme kësaj maxhorancë. /Albeu.com/
Shtuar më 08/06/2016, ora 15:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori