KOMENT/ Edhe Basha me Ramën pyesin: Po këta kush janë?!
Përveç kandidatëve për kryetar bashkie, një garë e fortë në këto zgjedhje lokale pritet të zhvillohet edhe për këshilltarë bashkiake nisur nga fakti se bashkia merr një peshë më të madhe me ndryshimet në hartën territoriale të vendit.

Ato që pritet të garojnë fortë janë partitë e vogla që kanë hyrë në koalicion me të mëdhenjtë si shpresa e vetme e tyre për të përfituar një përfaqësim të elektoratit të tyre në rang lokal. Kjo, do të ishte edhe një bazë e mirë për t’i rritur “piacën” vetes në zgjedhjet e ardhshme elektorale pas dy vitesh, shkruan Albeu.com.

Megjithatë, vetëm një numër i vogël partish nga ato që kanë hyrë në koalicione më të mëdhatë pritet të përfaqësohen me këshilltarë bashkiakë në këto zgjedhje, pasi pjesa tjetër janë thuajse inekziestente në territorin e vendit.

Madje, nga hulumtimi që ka bërë Portali Albeu.com ka prej këtyre partive që nuk marrin më shumë se 100 vota në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Partia Socialiste udhëheq një koalicion prej rreth 40 partish, por vetëm pak prej tyre kanë një peshë reale në elektorat duke i siguruar koalicionit edhe vota potenciale për kandidatin për kryetar.

Për shembull, PS ka marrë në koalicion Partinë Demokratike për Integrim dhe Prosperitet. Kjo parti ka marrë gjatë zgjedhjeve të shkuara vetëm 74 vota në të gjithë Shqipërinë. Pak më shumë vota ka marrë partia tjetër e koalicionit të majtë, Partia e Çështjeve Shqiptare, vetëm 366 vota në rang kombëtar.

Një tjetër parti e "trenit" të koalicionit të majtë është edhe Partia e Pajtimit Kombëtar, e cila ka marrë vetëm 823 vota në rang vendi gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2011, kurse gjashtë parti të tjera të koalicionit nuk kanë marrë pjesë në këto zgjedhje.

Mes 500 dhe 2 000 votave janë edhe disa parti të tjerë si: Partia e Reformave Demokratike (1 600 vota); Partia Levizja për Drejtësi e Shqiptarëve (540 vota); Partia Toleranca e Re e Shqiptarëve (700 vota) etj.

Shumica e partive të koalicionit të majtë kanë një numër total votash që vërtitet mes 2 000 dhe 4 000 në të gjithë territorin e vendit. Ky është një numër tejet i ulët në raport me numrin e votuesve duke pasur efekte minimale edhe në kuti të caktuara votimi, e jo më në rastet kur bëhet fjalë për bashki të zgjeruara si ato që dolen pas reformës territoriale.

Nga ana tjetër, gjashtë nga 16 partitët që përbëjnë koalicionin e djathtë, ose kanë më pak se 3 500 vota ose nuk kanë hyrë fare në zgjedhjet e kaluara lokale. Partia Konservatore Shqiptare për shembull ka marrë vetëm 2 800 vota në zgjedhjet e shkuara, kurse Partia Ora e Shqipërisë mori 3 200 vota.

Katër parti të tjera nuk kanë hyrë fare në zgjedhje. Nga partitë e koalicionit të cunguar, ato që mund t’i bëjnë punë Bashës në këto zgjedhje janë Partia Republikane me një numër të konsiderueshëm votash në të gjithë vendin, Levizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Levizja e Legalitetit, Partia Agrare apo Bashkimi Liberal Demokrat. /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2015, ora 10:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori