KOMENT/ Një shqetësim i Patozit për mediat dhe trashëgimia e Berishës në këtë fushë
Ndikimi i drejtpërdrejtë i politikës në media është një e vërtetë e pamohueshme, aq sa pronarë të caktuar mediash kanë filluar t’a pohojnë publikisht “dashurinë” me pushtetin qoftë ky majtas apo djathtas.

Deputeti demokrat Astrit Patozi foli sot në Kuvend në lidhje me presionin që sipas tij politika dhe segmente të qeverisjes i bëjnë shtypit duke mos lejuar kështu publikimin e problematikave që lidhen me këto subjekte.

Ai theksoi nëse ka botues që blihen me para të pista, problem nuk është tek gazetarët, që herë i marrin dhe herë nuk i marrin rrogat në fund të muajit, por tek qeveria që korrupton me shuma, që ndahen veç nga supervjedhjet e financave publike.

“Pyetja ime është e thjeshte. Çfarë po ndodh e këtë vend? Si ka mundesi që shumica e mediave në Shqipëri mbyllin ekranet dhe faqet e tyre për lajme të keqija për qeverinë. E theksoj, jo për komente, por për lajme. Madje, jo për gjithë qeverinë, por vetëm për segmente te caktuara te saj. Ku, si edhe ne shume fusha te tjera shkelqen Ilir Meta, te cilit vetëm po i the ndonjë gjë ne parlament, dhe mund te jete dikush duke e dhene live, qe mund te kaloje, se per çdo gje tjeter bejne sikur nuk ndodhur, edhe gazetat, edhe televizionet”,- deklaroi ai.

Patozi nuk është i vetmi që shprehet i shqëtësuar në këtë drejtim. Gjatë emisionit të mbrëmshëm në “Opinion” kandidati i pavarurur për Tiranën, Gjergji Bojaxhi deklaroi se ka media, të cilat nuk publikojnë asnjë aktivitet të tij, madje kërkojnë edhe para në këmbim.

“Ka media dhe televizione që na kërkojnë lekë për të pasqyruar aktivitetet tona. Ky është realiteti në Shqipëri”.

Pronësia dhe të qënit një ndër shumë bizneset e tjera të biznesmenëve të caktuar është cilësuar si problematika kryesore e medias në Shqipëri për shkak të faktit se pronarët janë më të cënueshëm nga politika nga njëra anë, por edhe më të prirur të flirtojnë me pushtetin nga ana tjetër.

Patozi e njeh mirë këtë çështje pasi në periudhën kur qeveriste partia e tij, kishte mjaft media të cilat gjobiteshin apo shantazhoheshin nga pushteti në të njëjtën mënyrë siç shpreh shqetësimin sot deputeti demokrat. /albeu.com/
Shtuar më 04/06/2015, ora 15:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori