KOMENT/ Një mesazh për Edi Ramën
Nga Albeu.com
Pezullimi i kreut të Policisë së Shtetit Haki Çako, me vendim gjykate si edhe lënia në arrest shtëpie të drejtorit të Forcave Operacionale dhe një vartësi të tij tregon se përplasja e forcave të ndryshme që kanë pushtet në vend ka arritur në një fazë tjetër.

Skandali i përgjimeve shpërtheu disa javë më parë kur prokuroria nisi hetimet për futjen në mënyrë të paligjshme të një pajisjeje përgjuese të komunikimeve përmes telefonit, e cila u gjet në godinën e Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Ishte një skandal që vinte në vazhdën e shumë skandaleve të tjera që kanë përfshirë vendin në këtë periudhë, e cila përkon me rritjen e presionit për miratimin e Reformës në Drejtësi.

Edhe pse në dukje është një aksion mirëfilli në kuadër të zbatimit të ligjit, pezullimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit për një skandal ndërkombëtar përgjimi sigurisht që kërkon një vullnet politik që buron nga diku. Vendime të tilla të rendësishmë në Shqipëri, ku cërkat e skandalit shkojnë deri tek ministrat janë marrë gjithnjë të mbështetura nga një vullnet politik.

Vendimi i gjykatës për të pezulluar Çakon me kërkesë të prokurorisë ka kapur gafil edhe vetë ministrin e Brendshëm si edhe kryeministrin, të cilët u kanë dalë në mbrojtje vartësve të tyre. Në këto kushte, duket se vullneti politik që mbështet veprimet e prokurorisë nuk buron nga partia kryesore e maxhorancës, PS-ja. Në krahun tjetër, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është kujdesur që ta cilësojë këtë vendim një akt të mirëfilltë të zbatimit të ligjit duke kërkuar që të mos bëhen gjykime politike mbi këtë proces.

Që nga deklaratat vërehet një ndarje e qartë mes qendrimit të Ramës, Tahirit dhe PS-së nga njëra anë për vendimin e gjykatës pas kërkesës së prokurorisë dhe qendrimi i Manjanit nga ana tjetër, i cili ndër të tjera përfaqëson edhe vullnetin e LSI-së.

Përtej iluzioneve për një vullnet të papritur për të zbatuar ligjin nga prokuroria dhe gjykatat, në një vend ku kanë ndodhur skandale shumë më të mëdha se ky, me dhjetra të vdekur apo me të vrarë në shesh para objektivit të dhjetra kamerave, pezullimi i Çakos dhe arrestimi i vartësve të tij duket më së shumti një mesazh i fortë që i jepet Ramës dhe Partisë Socialiste tani që është nxehur debati për Reformën në Drejtësi.

Kjo është një periudhe vendimtare për mënyrën se si do të konfigurohet skena politike e vendit në vitet e ardhshme nëse Reforma në Drejtësi do të miratohet dhe zbatohet sipas moduleve të prezantuara deri më tani, ku mbi të gjitha parashikohet një ndryshim në elitat drejtuese të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Aksioni i sotëm i prokurorisë tregoi se përplasja e forcave të pushtetit sapo ka nisur në një dimension tjetër nën hijen e Reformës në Drejtësi, ku nga njëra anë gjendet Rama, i interesuar maksimalisht për përmbysjen e këtyre elitave dhe nga ana tjetër, Meta dhe Berisha, të interesuar për ruajtjen e gjendjes aktuale në sistemin e drejtësisë. /Albeu.com/
Shtuar më 07/06/2016, ora 17:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori