KOMENT/ Ndërtimet tek “Liqeni”, a do të ketë një “JO” popullore si ajo për armët kimike?
Nga Albeu.com
Ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës duke prerë pemë në zemër të Parkut të Liqenit me planin për të ndërtuar një park lojërash po merr një vëmendje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale duke u bërë një tematikë virale.

Kjo, për faktin se ndërhyrja u bë fshehurazi dhe u zbulua pas disa fotove të pemëve të prera të hedhura në rrjetet sociale, por edhe për shkak të ndjeshmërisë së madhe që ka kjo nismë e Bashkisë së Tiranës pasi për herë të parë, po guxohet të bëhet ajo që nuk është bërë përgjatë ketyre 25 viteve të demokracisë së rrëmujshme të Shqipërisë: Të priten pemë në zemër të Parkut të Liqenit.

Është një sensibilitet tepër i lartë, i cili ngjan me atë të armëve kimike në fund të viti 2013 ku mijëra të rinj u organizuan nëpërmjet rrjeteve sociale për të protestuar poshtë dritarës së Kryeministrit Edi Rama duke e detyruar atë që të mos pranontë shkatërrimin e tyre në territorin shqiptar.

Përpos sensibilitetit të lartë në rrjetet sociale që mbart ky veprim i Bashkisë së Tiranë brenda territorit të Parkut të Liqenit, janë vërejtur edhe protesta sporadike të grupeve të të rinjve, ku një ndër to ishte edhe prishja e rrethimit të vendosur aty.

Ky sensibilitet i gjerë i ngjan edhe për një arsye tjetër atij të protestave për armët kimike. Bëhet fjalë për frikën dhe mosbesimin tek pushteti.

Në rastin e armëve kimike ishte frika se procesi i shkatërrimit ishte i rrezikshëm dhe i pamenaxhueshëm duke bërë që të ekzistonte mundësia për ndonjë aksident fatal. Për sa i përket çështjes së parkut, është frika se pas “karameles” që këndit të lojërave për fëmijet mund të fshihen projekte të tjera betoni ashtu siç ka ndodhur rëndom deri më tani në Tiranë, ku hapësira e qytetarëve është ngushtuar në mënyrë të vazhdueshme nga pushtetarët e ndryshëm duke i nxjerrë para syve makete plot ngjyra dhe plot premtime.

Pas votës plebishitare të marrë në 23 qershor 2012, nëpërmjet protestave për armët kimike qytetarët i thanë për herë të parë “JO” Ramës. Mbetet për t’u parë nëse edhe Veliaj do ta marrë “JO-në” e parë nga kryeqytetasit për shkak të këtij projekti.

Është ende herët për të folur nëse ndjeshmëria e madhe ndaj parkut do të shkaktojë të njëjtën valë protestash siç ndodhi me armët kimike, megjithatë lajm i mirë është se kryeqytetasit kanë filluar të kujdesen për ato pak metra katrorë gjelbërim që u ka mbetur pas mashtrimesh 25 vjeçare./Albeu.com/
Shtuar më 17/02/2016, ora 18:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori