KOMENT/ Kush e sabotoi Bashën në Korçë?
Fotoja e mësipërme është shkrepur sot në Korçë gjatë mitingut të Partisë Demokratike, ku i pranishëm ishte edhe kreu i saj, Lulzim Basha. Gjatë këtij mitingu u prezantua edhe kandidatura demokrate për zgjedhjet lokale në këtë bashki të madhe.

Më shumë se sa kandidatura apo mesazhet që dha Basha në Korçë, ajo që po përflitet aktualisht në media është pikërisht numri tejet i vogël i pjesëmarrësve në të, aspak i zakonshëm për Partinë Demokratike në këtë qytet, shkruan Portali Albeu.com.

Pavarësisht mundit të regjisë nga Tirana për të treguar se kishte shumë të pranishëm u pa se në fakt pjesëmarrësit numëroheshin vetëm disa qindra. Mediat raportojnë se numri i pjesëmarrësve nuk ishte më shumë se 200.

Portali i radios City Fm fajëson kreun e PD-së në Korçë, Andrea Mano, për dështimin e Bashës në këtë qytet. Argumenti i këtij portali është se Mano ka pretenduar që të jetë ai kandidati i demokratëve për Korçën dhe jo Gjergji Mero.

Edhe në kohët e saj më problematike, ku mitingjet zhvilloheshin nën kërcënimin e armëve dhe destabilitetit, Partia Demokratike arrinte të mbushte sheshet me militantët e saj.

Pamja e sotme në Korçë tregon se në PD-në e Korçës ka një thyerje të madhe, e shkaktuar me sa duket nga qejfmbetjet pas përcaktimit të kandidatit për zgjedhjet lokale.

Opozita është vërtetë e vështirë, por duket se këto janë ditët më të vështira të Bashës në krye të saj ku edhe të vetët po e sabotojnë.

Me një koalicion të tkurrur në vetëm 16 parti, shumica e të cilave nuk marrin më shumë se 3 mijë vota në të gjithë vendin, zgjedhjet lokale për Partinë Demokratike duket se do të jenë më shumë një betejë për të shpëtuar ç’është për t’u shpëtuar. /albeu.com/
Shtuar më 18/04/2015, ora 20:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori