KOMENT/ Kur të do amerikani...
Nga Albeu.com
Ka bërë shumë përshtypje sot një shkrim i publikuar nga gazetari Jason Katz i një shkrimi me tituli “Një Albatros mbi Shqipëri” duke e përshkruar Kryeministrin Edi Rama si një personazh që do të sjellë fat të keq për vendin (ashtu siç konsiderohet edhe shpendi Albatros) ndërkohë që numëron një mori lëvdatash për kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Ajo që ka krijuar më shumë interes lidhet me faktin se sa mirë e ka lexuar gazetari në fjalë realitetin e marrëdhenieve brenda maxhorancës qeverisëse duke bërë një ndarje shumë të hollë mes Metës. Sipas tij, Shqipëria rrezikohet prej Ramës për shkak të arrogancës së tij dhe marrëdhënies së pushtetit me krimin.

Kjo e fundit është një akuzë që krijon jo pak reaksion në veshin e amerikanëve.

Ky shkrim është i dyti në rrjedhën e shkrimeve të ngjashme pro Metës në shtypin amerikan dhe duket se asgjë nuk ndodh rastësisht. Pak muaj më parë, LSI lidhi një kontratë lobimi me kompaninë amerikane, Global Security and Innovative Strategies LLC e cila mori përsipër që t’i “shpjegonte” administratës amerikane raportin e kësaj partie me Reformën në Drejtësi që do të kryhej në Shqipëri. Në këtë kuadër u bë edhe shkrimi i prillit të këtij viti, nga i njëjti gazetar, fill pas vizitës së Metës në SHBA me titull: “Zëri i moderuar i Shqipërisë” duke pasur në fokus Ilir Metën.

Ndërkohë po sot, Agjencia BIRN ka publikuar një shkrim mbi historinë e fotove të vitit 2012 të Edi Ramës me Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama në periudhën kur ky po bënte fushatën e mbledhjes së fondeve për t’u zgjedhur për herë të dytë. Mësohet se pjesëmarrja e Ramës në atë takim të mbledhjes së fondeve ka kushtuar jo pak por 80 mijë dollar.

Në të dyja rastet duket se bëhet fjalë për një lobim të mirëfilltë me shuma marramendëse të politikanëve shqiptarë për tu dukur se kanë akses dhe mbështetjen e njerëzve të pushtetshëm apo të medias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë mesazhin se: “Kur të do amerikani, nuk ka kush të pengon më drejt pushtetit”. Është një lloj legjitimiteti që i japin vetes me një mesazh drejtuar publikut shqiptar duke ditur se inercia e pushtetit buron pikërisht përtej Atlantikut.

Sali Berisha nuk ka lënë asgjë mangët në këtë drejtim. Gjatë qeverisjes së tij janë nënshkruar disa kontrata bashkëpunimi me kompani të ndryshme lobimi në SHBA, më e famshmja prej tyre, “Podesta”, të cilës i janë paguar qindra mijëra dollar në shërbim të zbukurimit të pushtetit të Berishës.

Në të treja rastet, në mos prej fondeve publike, bëhet fjalë për fonde të dala nga xhepa biznesmenësh apo kasaforta partish, të cilat kanë hyrë në një mënyrë ose në një tjetër aty nëpërmjet favorizimeve të ndryshme në tenderë duke shfrytëzuar resurset e këtij vendi me një popull me shkallë varfërie ndër më të lartat në Europë. Bëhet fjalë për fonde që shfrytëzohen me bollëk në shërbim të afrimit drejt karriges së pushtetit apo konsolidimit të tij nëpërmjet realiteteve të blera./Albeu.com/
Shtuar më 30/06/2016, ora 23:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori