KOMENT/ Kur punën e parë në jetë e ke drejtor
Që rioshëve të vendosur në postet drejtuese pas arritjes së super maxhorancës nga e majta në qershor 2013 nuk i ka zbritur ende zelli i kolltukut kjo duket qartë. Publiku është mësuar tashmë me arrogancën e zyrave të administratës publike. Ka të paktën 20 e kusur vite që ndodh kështu, shkruan Albeu.com.

Problemi është se arroganca e të firmosurit për herë të parë në bordero si drejtor tani po kthehet në përbuzje. Madje, përbuzja ka guximin ta nxjërrë krye edhe në tempullin e demokracisë, gurin e themelit të këtij shteti, në parlament.

Debati hiç i padenjë mes drejtoreshës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojerave të Fatit, Luneda Sufali dhe kreut të Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Fatmir Xhafa, përveç se la një shije të keqe në publik nxorri në pah edhe qasjen e drejtorëve të rinj jo vetëm në moshë, por edhe në eksperiencë pune, ndaj parlamentit.

Xhafa u përpoq t’i jepte një mësim drejtoreshës që ka detyrën e administrimit të një tregu tejet problematik si ai i kumarit, por u tërhoq pas ndërhyrjes së ministrit Cani.

Por përveç qasjes ndaj Kuvendit, debati shpalosi edhe një mentalitet përbuzjeje ndaj punonjësve të tjerë të sektorit publik, siç janë sanitaret, ose siç i quajti drejtoresha, “pastrueset”.

Me shumë gjasë, një qasje e tillë, e një arrogance të rioshëve në postet drejtuese është kthyer në një mentalitet mbizotërues, pasi nuk është hera e parë kur kjo kastë drejtuesish flasin publikisht me terma ofensiv. Jemi mësuar tashmë me artikulime të tilla drejtorësh.

Dy ditë më parë publiku lexoi zv.ministrin e Arsimit, Arbër Mazniku teksa e cilësonte Akademik Prof.Dr. Artan Fugën si të rrjedhur gjatë debatit të tyre për ndryshimet në ligjin për Arsimin e Lartë.

Kryeministri Rama duket që e ka në parim të tijin për të promovuar elementë të rinj në poste drejtuese, por drejtorët e rinj me sa duket e kanë harruar se janë aty jo se janë më të mirët, por për arsye të tjera.

Kështu është kur punën e parë në jetë e ke drejtor. /albeu.com/
Shtuar më 10/04/2015, ora 17:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori