Kur politika “vret”
nga Dionis Xhafa

Një grua, nënë e katër fëmijëve në një fshat të largët të Beratit është gjendur e vetëvarur sot në kasollën e bagëtive të saj.

Arsyeja ka qenë se ajo dhe familja e saj ishin në kushte shumë të vështira ekonomike.

Kjo nuk është vetëvrasje, por fare mirë mund të cilësohet edhe vrasje. “Vrasje” e diktuar nga rrethanat shoqërore, “vrasje” e diktuar nga kushtet ekstreme të përballimit të jetës, “vrasje” nga realiteti i egër që na ofron vendi ynë. Jo vetëm kaq, por kjo mund të konsiderohet edhe “vrasje politike”.

Pamundësia ekonomike për të patur një jetë më të mirë lidhet në mënyrë të pashmangshme me politikbërjen e atyre që na drejtojnë, në pushtet lokal dhe në atë qendror.

Qeveria shqiptare nuk është se nuk po bën punë në drejtim të vendosjes së ligjit dhe të shtetit ligjor, por se harron se përpara se të vendoset ligj dhe rend, së pari duhet tiu garantosh njerëzve të hanë bukë, të jetojnë ndershmërisht dhe të bëjnë një jetë të denjë.

Të jetojë sipas ligjeve mund ti kërkosh fare mirë një qytetari, i cili i ka të ardhurat dhe punën, aq sa të bëjë një jetë të denjë. Por, se të njëjtat rregulla s’mund të vlejnë edhe për ata që nuk i kanë mundësitë.

Një gjë e tillë është parë edhe tek pagesat e energjisë elektrike, ku kishte nga ata qytetarë, të cilët në pamundësi për të paguar dritat kanë vuajtur burgjeve, madje më keq se kaq janë vrarë duke lidhur tela elektrikë apo janë vetëvarur në qeli. Përpara se qeveria tia nis nga ligjet sipas atyre të shteteve perëndimore, së pari duhet të krijojë një shtet social.

Për tu kthyer tek problemi, gruaja në fjalë jetonte vetëm me një ndihmë të vogël ekonomike, e cila nuk i krijonte asaj mundësinë për të bërë një jetë normale.

Aq më tepër, u raportua se ajo kishte patur probleme me depresionin dhe se asnjëherë nuk ishte kuruar, për shkak se i mungonin paratë. E, këtu jo pak është faji i shtetit.

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë duhet të “mprehë veshët” dhe të shohë realitetin siç është, për të mos lejuar më “krime të tilla shtetërore”.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë duhet të kujdeset për ata persona në nevojë që nuk e kanë mundësinë e pagesës për kurime të caktuara, për raste specifike. Gjithashtu, në Shqipëri mungon edhe kujdesi nga psikologu apo psikologia.

Si mundet që një grua, e cila ka kaluar në depresion, të lihet jashtë çdo lloj vëmendje nga shteti, kur rreziku që ajo ti bëjë vetes ndonjë të keqe është tepër i lartë?

Për fat të keq, shteti social në Shqipëri është në nivele të ulëta dhe ka shumë punë për të bërë me qëllim që të kemi një vend ku çdokush trajtohet me respekt, pavarësisht dallimeve në racë, ngjyrë, prejardhje apo në të ardhura ekonomike. Ky ishte një rast kur politika “vret”. /albeu.com/





Shtuar më 13/04/2015, ora 20:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori