KOMENT/ Kur normalja përbën lajm
Kemi raportuar sot se Policia Rrugore ka marrë me karrotrec makinat e dy zyrtarëve të lartë. Bëhet fjalë për makinën e deputetit Besnik Bare dhe prokurorit të Krimeve të Rënda Antoni Martini pas denoncimeve të disa familjarëve se makinat e funksionarëve të mësipërm u kishin zënë rrugën e kalimit.

Gjithashtu, sipas burimevetona, makinat e marra me karrotrec nuk kanë bërë as Kontrollin Teknik. Në këtë mënyrë, për të marrë makinën mbrapsht, prokurori dhe deputeti do të duhet të paguajnë edhe një gjobë.

Marrja e makinës me karrotrec nuk përbën lajm, as këtu dhe as në ndonjë vend tjetër të botës. Por, marrja e makinës së një deputeti dhe prokurori duket se përbën lajm në këtë vend, të pa mësuar me zbatimin e ligjit.

Jemi mësuar me anormalen dhe normalja na tërheq vëmendjen, aq sa një lajm i tillë po tërheq shumë vëmendje nga publiku për sa kohë sa gjendet në pjesën e sipërme të faqeve të mediave onlinë që e kanë publikuar.

Nuk dihet nëse ky është një lajm i servirur nga vetë policia apo është kapur nga ndonjë gazetar me burimet e tij.

Megjithatë, duhet përgëzuar puna e policisë që në këtë prag fundjave u rrek të na tregonte se ligji është i zbatueshëm për të gjithë dhe le të jetë ky një premtim për një sjellje të ngjashme në të ardhmen me të gjithë “të fortët” dhe të pushtetshmit. /albeu.com/
Shtuar më 10/04/2015, ora 10:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori