KOMENT/ Komunizmi i ri i Edi Ramës
Nga Ferdinand Xhaferaj
Ndërsa Edi Rama shpaloste emrat e ofiqarëve më të rëndësishëm të vendit, në media gëluan artikulime organizimesh për të ndalur rrugëtimin e Gramoz Ruçit drejt kreut të Kuvendit.

Qartazi theksohej se ministri i Brendshëm i 1990-s nuk mund të ripaketohej për t’u shitur si Kryetar Kuvendi i 2020-s. Opozita kryesore bëri dhe po bën shumë mirë që nuk po merret me të shkuarën e kuqe të kreut të pritshëm të Kuvendit. Me këtë nuk po përpiqemi të nxjerrim Ruçin nga spiralja e errët e ish-ëve, por thjesht po përpiqemi të nxjerrim opozitën nga spiralja e retorikës me ish-at.

Opozita nuk mund të ketë si kauzë efektive të saj denoncimin e ministrit të fund-diktaturës kur katër vite më parë veshi me kostum blu kreun e Kuvendit të fund-diktaturës. Këtu nuk duam të zhvlerësojmë politikanin Kastriot Islami, por duam të shpjegojmë fenomenin “Islami”. Pra, të merresh me komunizmin e Ruçit, futesh në lojërat e vjetra që vetëm sa maskojnë problemet e reja. Dhe Basha, ndërsa komenton të përzgjedhurit e Ramës, nuk sulmon të shkuarën komuniste, por thjesht shigjeton të tashmen kanabiste. Pra, opozita po argumenton se kriminalizimi, kanabizimi dhe korrupsioni janë komunizmi i ri i Edi Ramës dhe pse:

Së pari, problemi i Ramës, në legjislaturën që lamë pas, nuk ishte se u bë mik me kriminelë për të mbledhur vota, por shumë më keq se kaq. Individë me të shkuar kriminale nuk mbushën vetëm kutitë e votimit për Ramën, por mbushën edhe Kuvendin e Shqipërisë në krah të Ramës. Për më tepër, pamë ministrin që drejtonte luftën kundër krimit të pohonte se takohej me kapot e krimit sa në zyrat e punëve të shtetit aq edhe në ambientet ku pushojnë zyrtarët e shtetit. Këto nuk janë rrëfenja, por evidenca që dëshmojnë se kriminalizimi është komunizmi i ri i Edi Ramës.

Së dyti, pasi legalizoi me një mbledhje informale qeverie “Vitin e Skënderbeut”, Rama mblodhi Task Forcën kundër kanabisit dhe dha lajmin e madh se kanabistët nuk do gjejnë vrimë të futen. Pra, Rama u tha kanabistëve se qeveria ka vendosur të mbyllë të gjitha vrimat që hapi katër vite me radhë.

Për një kohë të gjatë, deri në qershor të 2017, Rama, i vetëm kundër të gjithëve, nuk ka pranuar se kanabisi i përzënë nga Lazarati gjeti strehim në të gjithë Shqipërinë. Ai shkonte edhe më larg kur ironizonte edhe gazetarët edhe ndërkombëtarët.

Në ditën kur bëhej publik raporti i Agjencisë së Inteligjencës së SHBA-së dhe njoftohej se Shqipëria është kthyer në urë e kalimit të drogës, kryeministri relativizonte se do mbyllë vrimat e hapura poshtë urës së kalimit të drogës. Në të vërtetë, të gjitha këto flasin se kanabisi është komunizmi i ri i Edi Ramës.

Së treti, nëse do përpiqemi të hedhim dritë mbi mënyrën se si Rama ka sistemuar qeverinë, lehtas konstatojmë se kemi dy super ministra që do merren me paratë që mbledh dhe shpërndan qeveria. Dy ministrat e parave janë aty jo se kanë ditur t’i shërbejnë halleve të qytetarit, por kanë dëshmuar aftësi për të lexuar veset dhe shijet e kryetarit.

Shqipëria e sotme është me zero investime dhe maksimum largime, ndërsa Rama duke mbuluar dhe zbuluar Skënderbeun, duke mbathur e zbathur atlete, e duke veshur e zhveshur çitjane ia ka dalë të çorodisë ndërkombëtarë dhe shqiptarë. E thënë qartë, korrupsioni e ka kthyer këtë vend të jetueshëm vetëm për qeveritarët, sepse banorët po duan të ikin dhe investitorët nuk po duan të vijnë.

Për Bashën ka vetëm një rrugë, atë të fillimit të rezistencës të ashpër opozitare, sepse në një vend ku qeveris korrupsioni minimizohen mundësitë për rotacion demokratik. Sepse, korrupsioni është komunizmi i ri i Edi Ramës dhe komunizmi qëndroi jo pak në Shqipëri. /GSH/
Shtuar më 05/09/2017, ora 09:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori