KOMENT/ Kandidati i partisë apo kandidati i kryetarit?
Më shumë se 20 vjet pas vendosjes së pluralizit, thuajse të gjitha partitë politike janë kthyer parti të kryetarëve, ku vullneti i tij në shumciën e rasteve superon edhe atë të strukturave të tjera vendimarrëse.

Deri pak vite më parë PD ka qenë shembulli perfekt i një partie të kryetarit, por vitet e fundit edhe PS ka hedhur hapa gjigant në këtë drejtim dhe të dyja partitë po konkurrojnë për vendin e parë.

Ka mjaft elementë që vërtetojnë një panoramë të tillë, por po ndalemi vetëm tek njëri: Ekskluziviteti në përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Vonesat e stërzgjatura e shpalljes së kandidatëve zyrtarë janë një tregues i kësaj arrogance të kryetarëve të partive, të cilët janë më të fokusuar tek kalkulimet e emrave dhe të votave se sa tek alternative për bashkitë.

Ky fenomen po vërehet kryesisht për qytetet e mëdha të konsideruara kyçe, përfshirë edhe Tiranën.

Prej dy javësh media vijon të aludojë për emra konkret kandidatësh për të dyja kampet politike, të cilët janë edhe duke u testuar në publik nëpërmjet sondazheve.

Megjithatë, sëfundmi kemi një liste finale “konkurrentësh” me dy emra si nga Partia Socialiste ashtu edhe nga Partia Demokratike.
Më saktë, kemi dy kandidatë kryetarësh dhe dy kandidatë partish.
Emrat që kanë arritur në fazën finale për PS-në përfliten të jenë Erion Veliaj dhe Blendi Klosi kurse për të djathtën gara zhvillohet mes Halim Kosovës dhe Besnik Aliajt.

Rama nuk e ka fshehur asnjëherë preferencën ndaj Erion Velisë edhe kur marrëdhënia e tyre ka qenë në krizë siç ishte për shembull mos pjesëmarrja në dasmën e ministrit të tij në Kalanë e Gjirokastrës. Edhe futjen në radhët e PS-së nga “Mjaft-i”, Veliaj ia ka borxh Ramës.

Nga ana tjetër, Klosi ka një angazhim të hershëm në Partinë Socialiste para se Rama vetë të merrte drejtimin e saj.

Në krahun përballë, Halim Kosova, më shumë se për politikan njihet si mjek gjinekolog. Është një propozim i strukturave të Partisë Demokratike dhe me sa duket qëllimi është që të arrijë të sigurojë edhe votat të vetat përveç atyre që do t’i ofrojë koalicioni.

Aliaj ka pasur thuajse të njëjtin profil si Kosova në aspektin e shmangies që të qënit protagonist. Ai ka qenë anëtar i KOP-it në 2005, staf i cili pati një kontribut të rendësishëm në rekuperimin e imazhit të PD-së dhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare nga kjo forcë politike.

Në radhët e PD-së, njihet mbështetja personale e Bashës për të.
Qytetarët e Tiranës kanë të drejtë që të njohin sa më shpejt pretendentët për kryetar bashkie, aë më tepër që tashmë kanë mbetur vetëm pak javë nga fillimi i fushatës.

Me sa duket, ata do të duhet të presin deri nesër apo pasnesër, kur kryetarëve t’u mbushet mendja për të njohur kandidatët zyrtar por edhe nëse do të votojnë për kandidatin e kryetarit apo kandidatin e partisë. /albeu.com/
Shtuar më 07/04/2015, ora 17:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori